Vangjeli: Thellohet skandali në Bashkinë Tropojë, “të fortët” e Edi Ramës sfidojnë për herë të dytë vendimin e KPP-së

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli

Bashkia Tropojë, nën drejtimin e përkohshëm të Znj. Zyra Islamaj – tashmë e marrë zyrtarisht si e pandehur nga SPAK për procedura tenderimi – ka sfiduar hapur vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

Pas vendimit të parë të KPP-së të datës 3 shtator 2025, i cili urdhëronte Bashkinë Tropojë të rivlerësonte procedurën e tenderit me objekt “Ndërtim i rrugës Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje”, me fond limit 82.9 milionë lekë, KPP është detyruar të ndërhyjë sërish me një vendim të dytë më datë 23 shtator 2025, duke ndaluar autoritetin kontraktor të vijonte me procedurën dhe duke urdhëruar rivlerësim sipas përcaktimeve të vendimit të marrë nga ky komision.

Megjithatë, në kundërshtim të hapur me këtë vendim detyrues, më 3 tetor 2025, Bashkia Tropojë ka përsëritur të njëjtin standart, duke lënë në fuqi skualifikimin e operatorit me ofertën më të ulët – pikërisht atë operator mbështetur në ankesën e të cilit KPP kishte konstatuar shkelje në veprimet e bashkisë.

Ky akt përbën një sfidë të hapur ndaj KPP-së, dhe organeve të drejtësisë, dhe tregon se si zyrtarët lokalë të mbështetur nga qeveria e Edi Ramës ndihen të paprekshëm përballë ligjit.

Partia Demokratike kërkon me urgjencë që të zbatohen menjëherë dhe në mënyrë rigoroze vendimet e KPP-së, duke respektuar rendin hierarkik të parashikuar nga Ligji për Prokurimet Publike dhe të penalizohen zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën duke dëmtuar interesin publik dhe qytetarët.

About Redaksia

Check Also

Agron Shehaj mbështet Binajn për Tiranën/ Jam 100% i bindur se mund të fitojmë!

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur …