Debate të ashpra janë shënuar sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën për fshehje të abuzimeve me fondet e OLAF-it.
Në fjalën e tij, Bardhi deklaroi se një nga përfituesit e këtyre fondeve është babai i Suel Çelës, një emër i njohur për lidhjet me botën e krimit. Ai u përplas ashpër me Taulant Ballën dhe mazhorancën, duke i akuzuar se po pengojnë debatet në Kuvend për të mbuluar raste të tilla.
“Ju nuk doni debat, sepse ka përfituar babai i Suel Çelës, i shpallur si kreu i një organizate kriminale. Ai ka marrë 150 mijë euro nga fondet e OLAF-it. Ne duam që ato para t’i shkojnë fermerëve të ndershëm të Bradasheshit, Divjakës apo Fierit, jo njerëzve të lidhur me krimin. Por ju, z. Balla, nuk doni debat sepse keni frikë nga dokumentet”, tha Bardhi.
Ai shtoi se opozita do të kërkojë çdo javë zhvillimin e mocioneve me debat në Kuvend, për të zbardhur, siç tha, mënyrën se si janë shpërndarë fondet e BE-së.
“Mos u shqetësoni, ne i kemi dokumentet. Ti, Taulant, qesh! Qesh, sepse pronat e atyre i ke pasur merak dhe kjo është e dokumentuar”, theksoi Bardhi, mes tensioneve në sallë.