“Ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, ka nxjerrë në pritë njerëzit e drejtësisë.” Kështu deklaroi ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, gjatë një interviste.
Ai theksoi se ky i fundit ka kërcënuar gjyqtarë fuke u shkuar nëpër shtëpi. Ndër të tjera shtoi se i dhanë dhe lekët sepse kishte blerë disa prona tek kulla Syri i Tiranës së Armand Lilos.
“Analiza e ngjarjes duhet bërë në kompleksitet, nga se nisi. Pse po ndodhin këto fenomene tani. Gjyqtarët kërcënohen gjithmonë. Ne kemi pasur Oltion Bistrin. Monstra e gjyqësorit. Kërcënonte gjyqtarët, shkonte nëpër shtëpi. Janë të regjistruara të gjitha çështjet, ka nxjerrë në pritë njerëzit e drejtësisë. Nuk e heton njeri. I dhanë dhe lekët, se kishte blerë disa prona te Syri i Tiranës, i kthyen dhe lekët.”
Duke komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, Malaj theksoi se është pothuajse e pamundur që një person të kalojë me armë dhe të hyjë në sallën 3, aty ku ndodhi ngjarja tragjike.