Vendimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga vetë Rama që sanksionon se fluturimet e tij jashtë vendit duhet të konsiderohen “konfidenciale”
Dokumenti zyrtar shton në funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare një detaj thelbësor, sipas të cilit: “DSHQ negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.”
Me këtë akt, çdo itinerar, orar fluturimi apo shpenzim udhëtimi i Edi Ramës jashtë Shqipërisë kalon në kategorinë e informacionit të mbrojtur, për t’u ruajtur nën petkun e “të dhënave personale”.
Në thelb, vendimi është një dryn mbi atë që prej kohësh ka qenë praktikë e heshtur: mungesa e transparencës për udhëtimet e kryeministrit.
Historia e fluturimeve me charter të Ramës është një kapitull që prej kohësh i paraprin këtij vendimi. Sipas dokumenteve të publikuara nga Lapsi.al, që në tetor 2022, grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” publikoi nga sistemi TIMS hyrje-daljet dhe fluturimet e Edi Ramës jashtë vendit, duke zbuluar një numër befasues udhëtimesh me avionë privatë të vëna në dispozicion nga Air Albania.
Sipas të dhënave që publikuan hackerat iranianë, kryeministri Edi Rama kishte udhëtuar 134 herë me charter deri në shtator të vitit 2022. Ajo që binte në sy ishte se numri i fluturimeve ishte rritur vit pas viti dhe shifrat flisnin për udhëtime të shpeshta e të shtrenjta në lartësitë e luksit qeveritar.
Mungesa e transparencës lidhej me marrëveshjen me Air Albania, kompania që për shumë vite u paraqit si simbol i bashkëpunimit të suksesshëm mes shtetit shqiptar dhe Turkish Airlines, dhe që u përdor për të justifikuar pjesën më të madhe të fluturimeve të Ramës.
Vetë kryeministri, në reagimin e tij e kishte relativizuar çështjen me fjalët: “Nuk është ashtu siç duket”. Rama pretendonte se udhëtimet e tij ishin faturuar me çmim promocional pasi ato bëheshin për të promovuar linjën e re ajrore me flamurin shqiptar.
Por në shkurt 2023, doli se kontrata midis Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Air Albania nuk përmbante asnjë klauzolë që ta lidhte përdorimin e avionëve me promovimin e kompanisë”. Pra, pretendimi i kryeministrit se charterët ishin “për të bërë reklamë” rezultoi i pambështetur.
Gjithsesi, pas vitesh të tëra udhëtimesh të mbuluara nga e njëjta kompani, Air Albania është zhytur vetë në telashe. Bilance e saj rezultojnë të fshehura, kontratat e fluturimit ndërkombëtar po anulohen, ndërsa punonjësit ankohen për rrogat e papaguara. Të gjitha këto janë sinjale se kompania po shkon drejt falimentimit, me dyshimet për dhjetëra milionë euro detyrime të papaguara ndaj shtetit shqiptar.
Rama është i detyruar të mos e përdorë më charterin e Air Albania për të kontraktuar linjat e tjera të fluturimit. Në këto rrethana del edhe vendimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama për t’i shpallur “konfidenciale” udhëtimet jashtë vendit. Dhe megjithëse qeveria e justifikon me mbrojtjen e “të dhënave personale”, në praktikë ajo po mbyll një tjetër dritare mbi informacione që publiku ka të drejtë ta dijë, ndërsa qeveria ka detyrim të bëjë transparencë.
Në fund të fundit, Rama mund të udhëtojë sa të dojë dhe ku të dojë, por fakti që i shpall sekrete shpenzimet e tij, tregon edhe një herë se sa lart fluturon niveli i luksit të qeveritarëve tanë./Lapsi.al