Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në seancën plenare foli edhe për ngjarjen tronditëse të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit.
Ai tha se, ngjarja është një dëshmi e qartë e dështimit të sistemit të sigurisë në gjykata dhe e mungesës së përgjegjësisë nga Ministria e Brendshme, duke u shprehur se një gjyqtar nuk duhet të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut për të dhënë vendimin e tij.
“Faleminderit, zotëri kryetar. Dhe unë e kam për çështjen që ngriti zonja Topalli dhe në emër të PD-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe kolegëve të gjyqtarit të ndjerë.
Unë besoj se seanca duhet të kishte nisur me dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu.
Është e paimagjinueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjykatës, teksa lexon vendimin gjyqësor, sipas bindjes së tij të lirë, dhe ministria e Brendshme të japë opinionin publik se policia e shtetit nuk ka detyrime për të garantuar sigurinë në Gjykatën e Apelit.
Sipas legjislacionit në fuqi, është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë në rrugët dhe ambientet e tij. Detyrimi është nxjerrë zbuluar nga KLSH, i cili publikoi korrespondencën me ministrin e Brendshëm, ku kërkohej ndërhyrje për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtarët ishin ndjerë të kërcënuar.
Kjo ngjarje tronditi jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar, pas sqarimit dhe reagimit që bëri ministria, ku shprehu se nuk ka punonjës policie që kanë qenë përgjegjës dhe se nuk ka pasur asnjëherë veprim në gjykatë.
Në derën e gjykatës, për hyrje-daljet e individëve në Gjykatën e Apelit është përgjegjës punonjësi i policisë, dhe nuk mundet që një punonjës i armatosur të ndalojë një tjetër punonjës të armatosur që hyn në gjykatë”, tha Bardhi.