Deklarata e nënkryetarit të PD, Luçiano Boçi:
Falë ‘qeverisë Rama’, Shqipëria thyen një tjetër rekord për keq: Universiteti publik lihet jashtë renditjes botërore të Times.
Partia Demokratike denoncon me shqetësim të thellë gjendjen dramatike të arsimit të lartë në vend, e cila është ekspozuar haptazi nga publikimi i fundit i renditjes botërore të universiteteve nga Times Higher Education (THE), më 9 tetor 2025.
Sipas World University Rankings 2026, asnjë universitet publik shqiptar nuk figuron në renditjen ndërkombëtare.
Universiteti i Tiranës, institucioni më i madh publik i vendit, nuk ka numër renditjeje dhe ka vetëm status ‘Reporter’, që nënkupton se ka dorëzuar të dhëna, por nuk ka përmbushur kriteret për t’u klasifikuar.
Ky fakt tronditës, është dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë Rama në fushën e arsimit të lartë dhe rrëzon propagandën e ‘ndërkombëtarizimit’ të universiteteve shqiptare.
Ndërkohë që qeveria mburret me ‘reforma’ dhe ‘modernizim’, universitetet shqiptare mbeten jashtë çdo standardi ndërkombëtar dhe të padukshme në hartën akademike të botës.
Në rajon, Universiteti i Prishtinës është renditur në vendin e 518-të, ndërsa të përfshirë në klasifikim janë edhe universitetet e Sarajevës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Kjo tregon se vetëm Shqipëria po bie me shpejtësi nga standardet e zhvillimit arsimor.
Partia Demokratike thekson se kjo situatë është pasojë direkte e:
•politizimit ekstrem të institucioneve të arsimit të lartë;
•emërimeve partiake dhe jo me meritë të drejtuesve universitarë;
•mungesës së kërkimit shkencor real dhe financimeve transparente;
•si dhe shkatërrimit të autonomisë universitare nga ndërhyrjet e qeverisë Rama.
Propaganda e qeverisë për ‘diploma të njohura ndërkombëtarisht’ është një mashtrim për studentët dhe familjet shqiptare, që po paguajnë çmime gjithnjë e më të larta për diploma pa asnjë vlerë reale në tregun global të punës.
Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndalë propagandën dhe të përballet me realitetin:
Arsimi shqiptar është në kolaps të plotë dhe kërkon një reformë kombëtare urgjente, të bazuar në meritë, cilësi dhe transparencë.
PD riafirmon angazhimin e saj për autonomi të vërtetë universitare, financim të qëndrueshëm të kërkimit shkencor, dhe rikthimin e standardeve europiane në arsimin e lartë shqiptar.