Denoncimi i fortë i Korreshit: Apartamentet shiten 2-3 herë përmes mashtrimeve noteriale…

Tensioni në Komisionin e Ligjeve u rrit ndjeshëm kur deputeti Saimir Korreshi, pas një serie komentesh ironike për mungesën e kryeministrit, kaloi në një denoncim të rëndë për abuzimet në sistemin e noterisë.

Ai zbardhi një skemë mashtrimi ku qytetarët bien pre e shitjes së shumëfishtë të së njëjtës pronë.

Sipas deputetit, shumë noterë veçanërisht në Tiranë lidhin dy ose tre kontrata premtim-shitjeje për të njëjtin apartament, duke lënë blerësit në një situatë të paqartë ligjore.

Për të ilustruar problemin, ai solli një rast konkret tronditës: një notere kryen një transaksion me kontratë premtim-shitjeje për një pronë. Pas daljes së saj në pension, i biri i cili trashëgon arkivën lidh një kontratë të dytë për të njëjtën pronë me një person tjetër.

Problemi thellohet kur blerësi i dytë arrin ta legalizojë pronën, ndërsa blerësi i parë mbetet pa asnjë mbrojtje, pavarësisht se kontrata e tij është e regjistruar me numër repertori dhe datë. Deputeti ngriti alarmin se këto praktika abuzive ndodhin shpesh, duke dëmtuar rëndë sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve te sistemi.

Deklarata:

“Edhe duke qenë se ai kryeministër… ju lutem, ju lutem! Se edhe po erdhi, s’besoj se flet dot. Duke qenë, o shoku im, që kryeministri nuk vjen ndonjëherë këtu… do e kaloj, do e ndërroj pyetjen. Por gjithsesi, te Hipoteka ka një kullë roje atje që po na fut frikën.

Jo, kishe ti më përpara, por s’i bëre dot gjë kullës. S’e qëllove dot, lëre kullën!

Mirë, po kulla e rojes… shikoni ju se nuk po i jepni ato 500 lekët. Ju lutem! Ju lutem! Pyetjet, pyetjet…

I nderuar zoti ministër, po ta them unë këtë edhe ‘live’, ose ‘lajv’ siç i thonë, që… po kaloj tani tek çështja e noterisë.

Ka shumë noterë – shumë noterë – të cilët bëjnë transaksione nga dy ose tre herë për të njëjtën pronë.

Pra, ka raste në Tiranë ku janë lidhur dy ose tre kontrata premtim-shitjeje për të njëjtin apartament. Dhe kjo vazhdon ende sot.

Rast konkret: një notere lidh një kontratë premtim-shitjeje. Pas pensionimit të saj, i biri merr arkivën dhe vazhdon punën në të njëjtën zyrë. Ai bën një kontratë tjetër për të njëjtën pronë me një individ tjetër.

Çfarë ndodh më pas?

Kjo e fundit legalizohet. Ai thotë: ‘Unë nuk kam dijeni për kontratën e parë’, edhe pse në regjistër ekzistojnë referencat: numri i repertorit, kodi kohlik, data e kontratës.

Pra, së pari – kjo kontratë nuk administrohet nga Ministria e Drejtësisë, siç është detyrimi. Së dyti – nuk ka më notere. Së treti – i biri lidh një kontratë të dytë me të njëjtën firmë, për të njëjtën pronë.

Dhe i rikthehemi atij problemi të vjetër të viteve të kaluara, ku gjithçka përfundon me një vendim gjyqësor që zgjat me vite.

Kjo ndodh shpesh në noteri. Shumë shpesh. Shumë shpesh.

About Redaksia

Check Also

Parodia me patinat!/ Berisha: Kompania e bashkisë “binbin” e skuterave vazhdon punën për t’i nxjerr në terren

Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar aksionin e djeshëm për bllokimin e skuterëve elektrike …