Dumani ka kongirmuar sot blerjen e votave në zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës mbi rezultatet e Task Forcës për hetimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Dumani tha se çdo denoncim është marrë në shqyrtim dhe se, si rezultat i hetimeve, është zbuluar një rast i korrupsionit masiv që ka çuar përpara drejtësisë një kryebashkiak, ndërsa një tjetër është aktualisht në hetim për korrupsion aktiv në procesin zgjedhor.
“Vetëm për vitin 2025 kemi marrë një kryetar bashkie të pandehur për korrupsion aktiv. Është një rast ku kemi parë korrupsion masiv. Kemi në hetim një kryebashkiak tjetër për korrupsion aktiv,” deklaroi kreu i SPAK-ut, pa bërë publik emrat.
Në përgjigje të kritikave të deputetëve Oerd Bylykbashi dhe Gjin Gjoni, të cilët e konsideruan Task Forcën e ngritur nga SPAK si “fiasco” dhe akuzuan institucionin për mungesë rezultatesh konkrete, Dumani theksoi se hetimet janë zhvilluar në kohë reale dhe me angazhim maksimal.
“Nuk mund të them se ka dështuar. Ka vend për t’u përmirësuar. Kemi marrë seriozisht çdo kallëzim nga të gjitha subjektet. Kur janë evidentuar elementë, janë regjistruar 44 procedime penale, prej të cilave një është dërguar për gjykim dhe një tjetër është pezulluar,” tha ai.
Sipas Dumanit, gjatë zgjedhjeve të fundit janë regjistruar 194 materiale referimi, nga të cilat 54 janë bërë nga policia, 37 janë procedime penale dhe 10 janë marrë drejtpërdrejt nga SPAK.
Në lidhje me akuzat për vonesë të operacionit “Ura” dhe dekonspirime në rastin e Durrësit, Dumani tha se SPAK ka vepruar menjëherë pas çdo sinjalizimi. “Në kohë reale kemi dërguar hetues dhe prokurorë në mes të natës sa herë është sinjalizuar SPAK,” theksoi ai.
Dumani gjithashtu pranoi se kapacitetet e institucionit janë të kufizuara, me vetëm 20 prokurorë aktivë, por shtoi se puna po zhvillohet me transparencë dhe angazhim. “Vota është e shenjtë. Qytetarët duhet të votojnë të lirë. Edhe unë jam po aq i shqetësuar sa ju për blerjen e votës,” u shpreh kreu i SPAK.
Në fund, Dumani njoftoi se SPAK ka përmirësuar sistemin online për denoncimet, pas vërejtjeve të deputetëve të opozitës, ndërsa pranoi se “telefoni i gjelbër” i hapur për denoncime ka pasur probleme teknike pas orës 19:00 në ditën e zgjedhjeve.