Raporti i KLSH, PD kërkon mocion me debat në Kuvend për Onkologjikun

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin e një mocioni me debat për situatën e krijuar në shërbimin onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në kërkesë thuhet se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot shëndetësia, veçanërisht shërbimi onkologjik.

Raporti i KLSH-së evidenton dhe fakton shqetësimet e ngritura vazhdimisht në media dhe denoncimet e të sëmurëve me kancer për mungesën e barnave, përdorimin e barnave të skaduara, mungesën e kontrolleve laboratorike, si dhe ofrimin e shërbimit në kohë.

Kërkesa zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është firmosur nga deputetët: Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.

“Kjo është një urgjencë, që kërkon reagim institucional e veprim të shpejtë, pasi për vetë llojin e shërbimit shëndetësor, çdo pacient është në luftë të përditshme për mbijetësë edhe për një ditë tjetër. Nevojitet llogaridhënie institucionale, marrje përgjegjshësie nga ana e titullarëve apo drejtuesve respektiv dhe kësisoj përmirësim i shërbimit për pacientët.

Raporti ka realizuar një auditim të plotë përfundimtar, për institucionin e politikbërjes qëndrore Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e duke vazhduar me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PD-së.

About Redaksia

Check Also

Dumani konfirmon blerjen e votave/ Nuk kam çfarë të bëj, nuk jemi polici

Dumani ka kongirmuar sot blerjen e votave në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë seancës dëgjimore …