Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi reagoi pasi Presidenti Begaj mohoi akuzat për dypunësim duke i cilësuar si “pretendime të pavërteta” dhe theksoi se do t’i përgjigjet Parlamentit me seriozitet dhe ndershmëri.
Bardhi shkruan në reagimin e tij se, djali i Presidentit paguhet nga kompania “ANSIG”, me të cilën Presidenca ka kontrata për prokurimet e institucionit. Pagesa arrin në 30 mijë euro në vit, ndërkohë që djali jeton në Gjermani dhe punon si mjek atje.
Bardhi theksoi se kjo është vetëm një nga rastet që sipas opozitës, tregon korrupsion dhe përfitim të paligjshëm nga pjesëtarët e familjes së Presidentit.
Reagimi i Bardhit
Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë!
Çfarë e pengoi “Doktorin e Mrekullive”, njëherazi Presidenti, të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!
Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit. Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.
Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit.