Në një akt të paprecedentë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i kërkoi me tone urdhëruese Gjykatës Kushtetuese që të zhbëjë vendimin për pezullimin e dekretit të tij për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, duke e quajtur atë si antikushtetues dhe të pabazuar në praktikën e mëparshme.
Të mërkurën, zyra e shtypit e Presidencës shpërndau për mediat “mbrojtjen ligjore” të kreut të shtetit si “palë e interesuar” në çështjen me ankimues Erion Veliaj, i cili kundërshton shkarkimin si kryetar bashkie nga Këshilli i Ministrave.
Në këtë dokument të hartuar për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti merr përsipër të kundërshtojë si ‘antikushtetues’ vendimin e kësaj gjykate për të pezulluar një dekret kontrovers të tij, ku caktonte mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, pavarësisht se kryebashkiaku Veliaj kishte dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese.
Padia e Veliajt bazohej në nenin 115 të Kushtetutës, i cili parashikon qartë se vendimi i shkarkimit pezullohej në momentin e ankimimit. Megjithatë, Begaj e futi Presidencën në një kurs përplasje me Gjykatën Kushtetuese, pasi i kërkon që të deklarojë “moskompetencën” për shqyrtimin e dekretit të tij si dhe heqjen e pezullimit për dekretin.
Po ashtu, presidenti merr përsipër që ti kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë kërkesën e Veliajt si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës dhe të shpallë një datë të shpejtë zgjedhjesh në Tiranë.
“Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese,” thuhet në argumentet e Presidencës.
Në të gjithë parashtesën e përgatitur për seancën gjyqësore të datës 31 tetor, ku do të vendoset për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt nga qeveria, Presidenti përdor një gjuhë që synon të intimidojë Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj.
Në një nëndarje të dokumentit me titull “Gjykata Kushtetuese ka detyrimin të respektojë jurisprudencën e saj”, Presidenti i sugjeron kësaj gjykate që të ruajë praktikën e saj vendimmarrëse duke aluduar se po e shkel atë.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund ta lexojë Kushtetutën “rast pas rasti” dhe të hedhë në kosh vendimet e veta të mëparshme sa herë që konstatimet, arsyetimet, përkufizimet dhe referencat e paraqitura në to nuk i vlejnë për konstruktin artificial që ajo kërkon t’i japë çështjes së fundit që ka në dorë,” thuhet në dokument.
Presidenti po ashtu merr përsipër të analizojë jo vetëm vendimmarrjen, por edhe sjelljen e Gjykatës Kushtetuese duke akuzuar për “vetëizolim” ndaj argumenteve të palëve të interesuara.
Begaj pretendon gjithashtu se Kushtetuesja nuk e ka kompetencën ligjore që të shqyrtojë këtë ankimin të Veliajt dhe e quan vendimin e saj të njëanshëm.
“Ky vendim i mbledhjes së Gjyqtarëve është antikushtetues dhe duhet të korrigjohet menjëherë. Gjykata Kushtetuese duhet të riçelë diskutimin për legjitimimin dhe të rivendosë për të pasi të ketë dëgjuar edhe argumentet e palëve të interesuara përpara se të procedojë me çdo hap tjetër,” shkruan Presidenti.
Dokumenti që ngjan më shumë si ‘sulm’ publik ndaj Gjykatës Kushtetuese u publikua vetëm pak orë pasi opozita ndërmori një hap zyrtar, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra për shkelje të rënda kushtetuese, mes së cilave pranimin e pagesave nga një spital privat si dhe lidhjen e kontratave të sigurimit me kompaninë ku punonte i biri./BIRN