Gjatë shqyrtimit të projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, deputeti i PD, Gazment Bardhi është shprehur dakord në parim, por ka kërkuar që ngritja e këtij komisioni të bëhet vetëm pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e fundit. Sipas tij, nuk ka logjikë të ndërmerren ndryshime pa u njohur më parë me rekomandimet zyrtare të misionit ndërkombëtar.
“Jemi dakord për ngritjen e komisionit, pasi kjo çështje është një detyrim. Por unë kërkoj që ky komision të ngrihet pasi të kemi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Nuk mund të bëjmë ndryshime, kur jemi në pritje të rekomandimeve dhe sugjerimeve nga ai raport. Pra, propozoj që ngritja e këtij komisioni të bëhet menjëherë pas publikimit të raportit.
Kam edhe një çështje të dytë: Këtu është theksuar se komisioni përbëhet nga 16 anëtarë – 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare. Partitë parlamentare në Kuvend, referuar shpërndarjes së deputetëve, janë rreth 13. Pra, nuk veprohet mbi baza partish parlamentare, por mbi grupe parlamentare. Kjo ka qenë tradita e ruajtur. Sepse, po ta vlerësojmë ndryshe, do të thotë që PS t’i lërë një vend PSD-së, ndërkohë që kjo e fundit nuk është deklaruar në opozitë”, tha Bardhi.