Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se, kursimet e shqiptarëve janë më të kërcënuara se kurrë nga narkoeurot dhe nga narkoshteti! Ai tha se, Shqipëria po shndërrohet në lavatriçen më të madhe në Europë të parave të krimit.
“Të dashur qytetarë që ndiqni këtë seancë.
Në rend dite një çështje shumë e rëndësishme për ju, familjet tuaja, buxhetin tuaj.
Një çështje që lidhet direkt me kursimet tuaja, me depozitat tuaja dhe dua të them sot se ato janë në çdo qindarkë më të kërcënuara se kurrë.
Janë më të kërcënuara se kurrë sepse sistemi financiar i këtij vendi, me politikën që ndjek Ramaduro dhe lejtnantët e tij, është shndërruar në narkoshtetin financiar.
Sot, dy kërcënues madhor, shkatërrimtarë, janë në financat familjare dhe të shtetit shqiptar.
Njëri nga këta kërcënues janë paratë e drogës, të klaneve, para të cilat siç faktojnë të dhënat e fundit, arrijnë edhe 6 miliardë te një grup i vogël fare.
Para, të cilat futen në Shqipëri me avionë të posaçëm, me Toyota Yaris, me nëndetëse, me kontejnerë, me arka dhe me të gjitha mënyrat.
Po këto para, të dashur qytetarë, do thoni ju, çfarë lidhje kanë me kursimet tona?
Këto para vrasin kursimet tuaja, sepse vetëm me një të rënë të lapsit, këto para zhvlerësuan kursimet tuaja me 30 përqind.
Këto para, të dashur qytetarë, të këtyre bosëve të drogës dhe krimit ndërkombëtar, po shkatërrojnë prodhimin në vend.
Lexoni statistikat e INSTAT.
Çfarë thotë INSTAT?
Për tre vite rresht prodhimi industrial bie në pikiatë.
Për tre vite rresht prodhimi bujqësor bie në pikiatë.
Dhe rënie katastrofale kanë eksportet e një vendi të vogël me potencial shumë të madh eksporti.
Që të gjitha sepse euro në Shqipëri shtypet nga narkoeurot.
Sepse euro zhvlerësohet.
Sepse biznesmeni i ndershëm, që tregon me euro, me zhvlerësimin 35 përqind të saj, jo fitim, por vetëm falimentim ka.
Dhe ju, po të hidhni një sy sot, të merrni shifrat, po ju shihni xhepat tuaj, kontot tuaj… po të shihni shifrat sot, cilat janë shtyllat e ekonomisë shqiptare sot?
Shtyllat e ekonomisë shqiptare sot janë ndërtimi, i cili 80 përqind të fondeve i ka nga Toyota Yaris, i ka nga autobusët, mikrobusët, avionët, nëndetëset që bëjnë transportin e tyre.
Vetëm 20 përqind janë nga bankat.
Çfarë ndodh me këtë të dashur qytetarë?
Shihni kullat e korrupsionit, të mashtrimit, të drogës, me çmime stratosferike. Mollë e ndaluar për çdo shqiptar të ndershëm që jeton me djersën e tij, nuk blen dot një metër katror nuk i afrohet.
56 mijë apartamente bosh. Kjo është ekonomia e narkoshtetit.
Shihni çmimet e tjera. 17 përqind çmimet më të larta se mesatarja evropiane.
Ju, ato para që merren me pika djerse, me mund që u vijnë nga jashtë, ju ua shkatërroni. Ju ua zhvlerësoni në depozita.
Po tjetër?
Ju e ndërpretë seancën e kaluar vetëm se unë fola për Arubën, fola për pritjen që i ka bërë Luftim Hysit Edi Rama në selinë e kryeministrit. Ato janë marrëveshje që Shqipërinë ta shndërrojnë në mega lavatriçen më të madhe në Europë të parave të krimit.
Dhe sot nuk kërkoj asgjë, as nga qytetarët, as nga deputetët, vetëm të lexoni dhe do gjeni raportin e fundit se degët evropiane të karteleve të drogës të Amerikës Latine, dominohen më shumë se kushdo tjetër nga shqiptarët.
Shqiptarët janë transportuesit më të mëdhenj të ngarkesave më të mëdhga të drogës nga Amerika Latine drejt Europës. Të papara më parë. 17 ton solli në Roterdam klani Çopja. 11 ton solli në Antverpë.
Nuk i kishte parë Europa ndonjëherë këto ngarkesa.
Përcaktojnë çmimin dhe presin Taon në takime të fshehta.
Dhe Tao u drejton ju.
E kuptoni ju se ku është gjithë kjo dramë?
Po kjo dramë është këtu mo zotëri…
Këtu kemi qenë, ju kujtohet, kur përfaqësuesi, drejtuesi i entit energjetik shqiptar deklaroi se gllabëruesit monstruozë të energjisë janë fermat e kanabisit dhe fermat e bitcoin-it.
Po kush e kontrollon bitcoin-in? Po Edi Rama me të vëllanë, po kjo dihet botërisht.
A i keni parë fotografitë e tij me bosin e bitcoin-it.
A ju kujtohet kur Amant Josifi- e ka nënë zyrtare shumë të lartë tek ju- u akuzua se ka grabitur 1 miliard euro qytetarët europianë?
Dhe Troplini juaj, Dumani, tha nuk kemi punë me të. Nuk kanë punë se është Olsi mbrapa”, u shpreh Berisha.