Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se Partia Demokratike ka besim të plotë se udhëheqja politike e Kosovës do të marrë pafajësinë.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në “skenarët e errët” kundër drejtuesve të luftës çlirimtare, duke thënë se Rama ka duart e veta të zeza. Berisha kujtoi se PD ka qenë organizatore e rezolutës për njohjen e Republikës së Kosovës që në vitin 1991 dhe ka mbështetur fuqishëm si presidentin Ibrahim Rugova, ashtu edhe UÇK-në.
“Tani, vetëm dy fjalë do them lidhur me shpifjet e ulëta, amorale që bëri njeriu që di vetëm të shpifë.
Kjo sallë ka memorie. Kjo parti është organizatore e rezolutës për njohjen e republikës së Kosovës në atë kohë kur ju dridheshit, në vitin 1991.
Qeveria e saj u dha strehë dhe të gjitha mundësitë Adem Jasharit dhe komandantëve të tjerë të stërviten dhe të aftësohen.
Qeveria e saj ia doli të kalojë në vitin 1994, rezolutën e miratuar nga 137 vende.
Qytetarëve të Kosovës u njihej në OKB e drejta e vetëvendosjes, rezolutë që ishte bazë e dokumentit të parë të Rambujesë.
Kjo parti mbështeti fuqishëm si presidentin Rugova, ashtu edhe UÇK-në dhe ajo i konsideron ata luftëtarë të lirisë.
Kjo parti ishte promotore kryesore e njohjeve ndërkombëtare dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Tiranë.
Por, rreshtimi juaj me Aleksandër Vuçiçin, shndërrimi i kreut tuaj në argat të Vuçiçit ishte tradhtia më e madh që iu bë shqiptarëve dhe Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
Kështu që ajo që bëni ju është një karnaval me të cilën dëmtoni palcërisht statusin e udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës, e cila për ne ka qenë dhe është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut gjer sot.
PD ka besim të plotë se udhëheqja politike e Kosovës do marrë pafajësinë.
Se akuzat e rënda të bëra ndaj tyre nuk u faktuan asnjë prej tyre gjer sot.
Por në skenarët e errët, Edi Rama ka duart e veta të zeza”, tha Berisha.