Deputeti i PD, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se, situata politike në vend po tregon qartë mungesë përgjegjësie nga mazhoranca, e cila shpesh vendos interesat e partisë mbi ato të shtetit dhe qytetarëve.
Ai theksoi se shqiptarët presin veprime konkrete për të mbrojtur interesin kombëtar, duke mos i lënë sfidat dhe tensionet politike të pengojnë zbatimin e drejtësisë dhe zhvillimin e vendit.
Boçi u shpreh se, për të treguar patriotizëm të vërtetë, deputetët duhet të vendosin interesin e shqiptarëve mbi atë të partisë, të mbështesin rezolutat që kërkojnë drejtësi dhe të dënojnë krimet historike, duke u bërë zë i qytetarëve dhe jo thjesht i lojërave politike.
“Në realitet, leksionet këtu të patriotizmit u tentuan këtu nga kreu i grupit parlamentar i cili iku tani, gjithmonë ka vënë partinë mbi Shqipërinë, jo vetëm me veprime por edhe me deklarata.
Çuditërisht, sot doli i ndryshuar, por për ne duhet ta lini këtë lojë të strucit e mos të drejtoni këtu me sfida, sepse nëse ne e duam Kosovën apo drejtuesit e luftës së UÇK-së, ne duhet të vijmë në atë mitingun tuaj.
Sot është dita për t’u treguar patriotë, mos e lini për nesër, por dëgjojeni atë kryetarin e grupit tuaj parlamentar, vendosini shqiptarët mbi partinë sot, sepse ja ku e keni provën që të tregoni se e doni Kosovën.
Miratoni rezolutën kundër krimeve serbe në Kosovë, sepse ju të gjithë jeni parlament, një pjesë më përvojë të madhe.
Kush ka më shumë vlerë? Një rezolutë e dalë nga parlamenti apo fjalët hipokrite të atyre që morën iniciativën e Ballkanit të hapur për ta bërë Serbinë lokomotiv ekonomik të rajonit?
Kush ka më shumë vlerë? Rezoluta e Shqipërisë që shkon në atë Parlament Europian apo fjalët e atyre që sanksionuan Kosovën?”, tha Boçi.