Çmenduria me vjedhjen e re/ Duhet të paguash para që të paguash taksat

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme vendosi përcaktimin e  tarifave për shërbimet elektronike të ofruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në favor të organeve dhe të institucioneve të administratës publike, subjekteve private dhe qytetarëve.

Sipas vendimit të qeverisë, për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.

Për subjektet private, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon: 4 800 lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit; 20 lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion; 4 000 lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit; 15 lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).

Për shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e huaj, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 2 000 lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.

Për nëpunësit e administratës në institucionet publike me vetëfinancim, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 4 800 lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.

Pagesa e tarifave të përcaktuara në këtë vendim kryhet në momentin e aplikimit online për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”.

Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432 të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.

Sipas vendimit të qeverisë, vendimi nr.35 i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

About Krye Redaktor

Check Also

Zbardhen amendamentet e PD për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

Partia Demokratike ka kërkuar ndryshime në vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën …