Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli në parlament për paratë e drogës, që sipas tij futen në Shqipëri me avionë të posaçëm, me nëndetëse apo me Toyota Yaris.
Lideri demokrat ka akuzuar qeverinë dhe klanet kriminale për kapjen e ekonomisë shqiptare, duke e cilësuar situatën financiare si “kërcënim madhor” për familjet shqiptare dhe vetë shtetin.
Berisha theksoi se efektet e kësaj ekonomie të paligjshme ndihen drejtpërdrejt te qytetarët e zakonshëm dhe sidomos te ata që kanë kursime në euro.
Ai përmendi edhe fenomenin e kullave në Tiranë, duke i quajtur “kullat e korrupsionit dhe mashtrimit”.
“Me çmime stratosferike, ato janë mollë e ndaluar për çdo qytetar të zakonshëm. Janë 56 mijë apartamente bosh, por askush nuk i blen dot. Kjo është ekonomia e narkoshtetit,” tha Berisha.
Berisha: Sot dy kërcënues madhorë, shkatërrimtare janë në financat familjare dhe shtetit shqiptar. Njëri janë paratë e drogës, të klaneve, para që sic faktojnë të dhënat e fundit arrijnë deri në 6 miliardë tek një grup i vogël. Para të cilat futen në Shqipëri me avion të posaçëm, me Toyota Yaris, me nëndetëse, me kontejner, me arka dhe të gjitha mënyrat.
Këto para vrasin kursimet tuaja, sepse vetëm me një të rënë të lapsit këto para zhvlerësuan kursimet tuaja me 30%. Këto para me një të rënë të lapsit zhvlerësuan paratë e kursimeve tuaja.
Euro në Shqipëri shtypet nga narko-euro. Euro zhvlerësohet sepse biznesmeni i ndershëm që tregton me euro me zhvlerësimin 35 % të saj ka vetëm falimentim.
Po të merrni shifrat sot ju, ngase mbahet ekonomia shqiptare? Shtyllat e ekonomisë shqiptare janë ndërtimi, i cili 80% të fondeve i ka nga Toyota Yaris, i ka nga autobusët, avionët që bëjnë transportin. Vetëm 20% janë nga bankat.
Shifni kullat, kullat e korrupsionit, kullat e mashtrimit dhe të drogës me çmime stratosferike. Mollë e ndaluar për cdo shqiptar, nuk blen dot as një metër katror. 56 mijë apartamente bosh. Kjo është ekonomia e narkoshtetit.