Mediu: Nuk do të lejojmë shtrembërimin e historisë së Kosovës!

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, u shpreh me tone të forta ndaj qeverisë dhe mazhorancës, duke theksuar nevojën për një qëndrim të unifikuar kombëtar në çështjet më kritike për Shqipërinë dhe rajonin.

Mediu u ndal veçanërisht te çështja e njohjes së shtetit të Kosovës, rolit të PD në histori dhe bashkëpunimi i kryetarit të PD, Sali Berisha me çdo lider të Kosovës, pavarësisht nëse ishte i majtë apo i djathtë.

“Të nderuar kolegë deputetë, ka një shprehje që kush harron historinë është i detyruar ta përsërisë atë.

Për fatin e keq apo të mirë, një pjesë e juaja nuk e ka njohur në atë kohë atë historinë dhe atë marrëdhënie, e kur duartrokisin nuk e dinë se çfarë duartrokisin, për më tepër kur në këtë sallë, në vend që të bashkohemi, ndahemi për një çështje që ka të bëjë me interesin kombëtar.

Nëse doni ta dini, një komb e një qëndrim është qëndrimi i kësaj opozite, kërkesa e zotit Berisha e kësaj të djathtë për të njohur shtetin e Kosovës, bashkëpunimi me çdo lider të Kosovës pavarësisht nëse ishte i majtë apo i djathtë.

Le të vijmë te çështja, ku Kuvendi jo vetëm duhet të flasë për genocidin, por duhet të shtojë edhe lirimin e menjëhershëm të krerëve të UÇK-së, sepse janë pjesë e historisë që po përpiqet të shtrembërohet, pikërisht për t’i kthyer viktimat në kriminelë dhe kriminelët në viktima.

Kam pasur nderin që i kam njohur personalisht Thaçin, Krasniqin, Veselin edhe Selimin, i kam njohur dhe jam krenar.

Duhet të jemi në një qëndrim për gjenocidin serb dhe lirimin e krerëve të UÇK-së dhe nuk ka gjë më të rëndësishme. Ky parlament e duhet ta marrë këtë qëndrim sot dhe nuk duhet të ketë asnjë qëndrim politik.

Ne nuk mund të jemi krahu i UÇK-së dhe në krahun tjetër partner me Vuçiç. Sot Shqipëria e kombi shqiptar kanë dy kundërshtarë: Vuçiçin e regjimin e tij, Putinin dhe regjimin e tij dhe ne jemi të ndarë.

Si qytetar do jem kudo ku flitet për Kosovën, për lirinë e liderëve të Kosovës. Nuk të pyes ty, Taulant Balla, se ti as nuk e di, as nuk e ke ditur se ku ishte Kosova”, u shpreh Mediu.

About Redaksia

Check Also

Zbardhen amendamentet e PD për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

Partia Demokratike ka kërkuar ndryshime në vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën …