Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi sot në Kuvend se, Bashkimi Evropian ka bllokuar fondet që u duhet t’u shkojnë fermerëve shqiptarë, ndërsa akuzoi qeverinë për përvetësim të parave të taksapaguesve shqiptarë dhe evropianë.
Bardhi tha se, kanë dalë në publik informacione mbi shpërndarjen e parave nga fondet e IPARD, dhe akuzoi drejtoreshën e AZHBRS,të cilën e përmendi si të afërt me ministrinë, se ka favorizuar familjarët e saj në shpërndarjen e këtyre fondeve.
“Dilni këtu dhe thjesht shpjegoni se nuk doni të flisni, se Bashkimi Evropian na ka bllokuar fondet — miliona euro që shkojnë për fermerët shqiptarë.
Jemi i vetmi vend në Europë e në rajon që na janë bllokuar fondet sepse kjo qeveri këtu ka vendosur të vjedhë jo vetëm paratë e tatimpaguesve shqiptarë por edhe paratë e tatimpaguesve evropianë.
Ne do të tregojmë sesi babai i Suel Çelës mori paratë e fermerëve shqiptarë; në vend që një fermer i Elbasanit dhe këtu ka qenë për tërë Elbasanin, e dinë, i merrte 250 mijë euro për të financuar mundin dhe djersën e tij. Nuk i mori fermeri i Elbasanit, i mori babai i Suel Çelës, një njeri i shpallur në kërkim si kreu i një organizate nga më të fuqishmet kriminale në Shqipëri. Dhe sigurisht ju nuk doni që të flasim për këtë çështje.
Janë bërë të dhëna publike sesi drejtoresha juaj e AZHBRS, të cilën Edi Rama më pas e uli në karrigen e ministres së Bujqësisë, shpërndante paratë nga fondet e IPARD për familjarët e vet; në vend që t’i merrnin fermerët e Divjakës, Lushnjës, Elbasanit e gjithë Shqipërisë, jo , i merrte vëllai, motra, kusherinjtë, burri, kunati, Frida Krifca”, tha Bardhi.