Ish-oficeri i lartë i Forcave të Armatosura dhe eksperti i sigurisë, Artur Meçollari ka denoncuar një tjetër skandal në lidhje me pagesat private që përfiton Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë kohës që ushtron detyrën e kreut të shtetit. Në postimin e tij në Facebook, Meçollari ka publikuar shifra se si ‘Presidenti i Republikës Bajram Begaj për vitin 2024 është paguar nga Akademia e Forcave të Armatosura ( e njohur në Tiranë me toponimin, Begsat) në shumën 63.936,5 lekë’. ‘Sipas tarifave aktuale (pedagog i jashtëm) gjatë vitit 2024 duhet të ketë zhvilluar rreth 90 orë mësim në auditoret e kësaj akademie dhe gjatë orarit zyrtar të punës. Akademia e Forcave të Armatosura gjendet brenda Garnizonit ‘Skënderbej’ dhe hyrja e çdo personi është e regjistruar. Po ashtu gjatë vitit 2022 është paguar nga kjo akademi në masën 188.194,0 lekë. Në total Akademia e Forcave të Armatosura i ka paguar Presidentit të Republikës për mësimëdhënie 252.130,5 lekë gjatë kohës që ushtron funksionin e Presidentit të Republikës’, shkruan Meçollari.
