Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka akuzuar mazhorancën socialiste se ka marrë peng Parlamentin e Shqipërisë. Në fjalën e tij gjatë Konferencës së Kryetarëve, Gjekmarkaj theksoi se ky parlament i marrë peng nga PS, po i bën atentat opozitës dhe shoqërisë.
“Zoti Kryetar, të nderuar kolegë të dy krahëve, më shumë sesa si përfaqësues i opozitës, si qytetar i këtij vendi e përjetoj me shqetësim dhe dhimbje të thellë këtë që po ndodh me Parlamentin dhe fjalën të cilën e keni marrë peng! Ky është një atentat që po i bëhet kësaj shoqërie! Kuvendi është pronë e saj!
Ju po përpiqeni të depersonalizoni opozitën, por në fakt po depersonalizoni vetveten. Ju nuk e kuptoni në këtë turravrap se duke zvogëluar liritë dhe hapësirat e opozitës, keni ngushtuar liritë e hapësirat tuaja jetike politike e njerëzore! Andej nga e kam unë origjinën, kanë një fjalë të urtë: ‘Nuk të mban ajo çfarë sheh!’ Kemi parë kësaj ane Vip socialiste, e kujtoni Saimir Tahirin, sa pimpant, sa arrogant, sa vrapues e kumbues ka qenë? Njerëzit i dukeshin miza!
Po ashtu Arben Ahmetajn, Tigri i zhburreruar në Tigrush, të cilit Tokësorët i ngjani të parëndësishëm!
Beqen e Lalin gjithashtu në apogje! U përdorën, u hollën dhe në fund secili prej tyre kërkon mbrojtjen që ju takon si individ në kushtet e shtetit ligjor, por kërkojnë tek ligjet dhe tek Kushtetuta që ju po copëtoni ditë pas dite! Pse po e them këtë? Askush nuk e mbron militantizmi dhe njëanshmëria, por rregullat e shkruara dhe të respektuara bashkërisht!
Ajo që ndodhi dje ishte përsëri tentativa e radhës për të zvogëluar mekanizmat e kontrollit mbi Qeverinë dhe Institucionet!
Deputetët nuk kanë të drejtë vetëm të depozitojnë pyetje, por të bëjnë pyetje në cilën formë ata ta dëshirojnë! Ju dje e prishët këtë traditë dhe frymë të rregullores, jo se patët hallin e komisionerit, i cili për hir të së vërtetës tregoi dinjitet duke mos u bërë pjesë e skenarit tuaj!
Deputeti i bën pyetjet live, mund t’i interpretojë, mund t’i kontekstualizojë, mund t’i azhurnojë, mund t’i shkruajë pa imponim! Shqetësimi juaj është tjetër: nuk doni t’u dalë jashtë parashikimit interpelanca me institucionet e drejtësisë për aferat korruptive të depozituara në SPAK! Doni që ky moment të kalojë sa më shpejt dhe në terr, mundësisht!
Këtu ka qenë Kryetare Zonja Nikolla, Zonja Spiropali, ju Zoti Peleshi Kryetar Grupi, Zoti Çuçi gjithashtu, një fare kohe Zoti Balla, megjithëse debatet e ashpra për gjëra ku kemi rënë dakord, kemi vazhduar në dakordësi për funksionimin e Parlamentit, jo për çështje personale! Ky ndryshim pozicionesh me ju, Kryetar Kuvendi, dhe Zotin Balla, Kryetar i Grupit Socialist, ka sjellë një situatë të paprecedentë! Nëse ju të dy keni marrë përsipër të zhbeni pluralizmin, të zhbeni opozitën, mund të vëmë një bast publik që një ditë do të zhbeni vetveten dhe nuk do të keni as lot për të qarë!
Dhe në fund, dje folem për Kosovën, por edhe aty mbetet të kompleksuar nga 8 Nëntori 1941, kur Miladini e Dushani themelonin partinë tuaj duke i futur thikën pas shpine çështjes kombëtare! Zoti Balla dje thatë që serbët për të na sharë therrisnin Sali Berishën, e vërtetë dhe kjo, se ata Sali Berishën e njohin për armik, për patriot shqiptar! Tani, Zoti Manja, jeni i lirë të më denoni edhe mua me nga 25 ditë, sepse si ka ardhur puna, mund të ngrini si shqetësim prishjen e qejfit, të humorit dhe të vizioneve të Edi Ramës për Shqipërinë 2030!”, u shpreh Gjekmarkaj.