Fondacioni i miliarderit George Soros po financon protestat mbarëkombëtare të quajtura “No Kings”, ku pritet të marrin pjesë dhjetëra mijëra protestues, përfshirë edhe kreun e pakicës në Senat, Chuck Schumer.
Kështu raportoi Fox News, duke iu referuar dokumenteve financiare të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur (Open Society Foundation).
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023 fondacioni i Sorosit, përmes Open Society Action Fund, i dha një grant dyvjeçar prej 3 milionë dollarësh organizatës Indivisible, e cila po administron të dhënat dhe komunikimet me pjesëmarrësit e protestave.
Këto protesta do të zhvillohen të shtunën në Uashington dhe në qytete të tjera të SHBA-së.
Senatori republikan Ted Cruz akuzoi publikisht Sorosin për financimin e lëvizjeve që, sipas tij, mund të shndërrohen në trazira:
“Ka prova të konsiderueshme që George Soros dhe rrjeti i tij janë pas financimit të këtyre protestave, të cilat mund të përfundojnë në dhunë në gjithë vendin. Këto janë protesta të organizuara nga operativë të Sorosit dhe të financuara nga paratë e tij,” tha Cruz në një intervistë për Fox News.
Cruz kujtoi gjithashtu se kishte paraqitur projektligjin STOP FUNDERs Act në korrik, që do t’i lejonte Departamentit të Drejtësisë të përdorë aktin RICO për ndjekjen penale të personave apo organizatave që financojnë protesta të dhunshme.
Sipas Fox News, lidhjet mes Sorosit dhe Indivisible janë të hershme. Bashkëdrejtuesja e kësaj organizate, Leah Greenberg, më parë ka shërbyer si drejtoreshë politike e fushatës për guvernator të Tom Perriello-s, i cili nga viti 2018 deri në 2023 ishte vetë drejtor ekzekutiv i Open Society Foundation.
Që nga themelimi i Indivisible në vitin 2017, fondacioni i Sorosit i ka akorduar gjithsej 7.61 milionë dollarë grante.
Përveç kësaj, organizata ka marrë edhe një grant prej 350,000 dollarësh nga Tides Advocacy, një grup që lidhet me rrjetin Tides Network, i akuzuar më parë për financimin e protestave anti-izraelite në universitete amerikane.
Në faqen e internetit të Indivisible thuhet se: “Më 18 tetor, miliona prej nesh do të ngrihen sërish për të protestuar kundër një presidenti që sillet si mbret.”
Ndërkohë, senatori demokrat Chuck Schumer ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në marshim, duke thënë se “do t’u bashkohem qytetarëve për të festuar atë që e bën këtë vend të madh”, ndërsa bëri thirrje që demonstratat të mbeten paqësore.
Raporti i Fox News shton gjithashtu se përveç fondeve të Sorosit, protestat “No Kings” kanë edhe mbështetjen e Partisë së Punëtorëve Komunistë të Amerikës, një organizatë e majtë që njihet për qëndrimet radikale.
Në faqen zyrtare të Indivisible këshillohet që pjesëmarrësit të jenë të përgatitur për protestë, pasi “protestat mund të jenë të lodhshme dhe intensive”.
Pavarësisht akuzave nga republikanët, përfaqësues të Open Society Foundation, Indivisible dhe rrjetit Tides nuk iu përgjigjën kërkesave të Fox News për koment.
Gazeta RD