Kryetari i PD, Sali Berisha në një proncim për gazetarët pas daljes nga SPAK deklaroi se, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm.
“Por sigurisht që drejtësia e Soros-reformës, marionetat e Ramës, Troplini e kompani nuk mund të lëshojnë një mashë qorre si Irena Gjoka që u përdor në të gjitha proceset e montuara ndaj opozitës pa asnjë fakt penal, të ndërmarra direkt ngha armiku i egër i pluralizmit, shërbëtori mjeran i Edi Ramës, Altin Troplini.
Dy. KLGJ nuk iu përgjigj kërkesës tonë për të konstatuar përfundimin e mandatit të Irena Gjokës, por ia drejtoi Prokurorisë së Përgjithshme për të nisur hetimet nëse ekzistonte vendimin penal kundër Irena Gjokës dhe nëse ajo e kishte deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit, pavarësisht se për këtë kishin vendimin penal të drejtësisë greke të sjellë me vulë apostile.
Prokuroria e Përgjithshme, për të dëshmuar veten se është një institucion tërësisht i kontrolluar, është një institucion që shkelmon Kushtetutë dhe ligje, nuk ka ndërmarrë asnjë masë deri sot.
Tre. Qëllimi i këtij devijimi është i qartë.
Së pari, në mënyrë të paligjshme vonon vendimmarrjen për konstatimin e mbarimit të mandatit meqenëse Irena Gjoka nuk mund të ishte gjykatëse kur ligji ia pengonte një personi të dënuar penalisht të mbante një funksion të tillë.
Së dyti, KLGJ, Uluzi Faqja e Zezë, Altin Troplini dhe marioneta të tjera të pushtetit, zvarritën me qëllim hetimin edhe mbi çështjen e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit nga Irena Gjoka, e cila ka fshehur dhe nuk ka deklaruar në formular as dënimin penal dhe as dy ekspulset nga Greqia me qëllim të qartë kalimin e afateve të ndjekjes penale, pra parashkrimin e veprës penale.
Pra kjo është arsyeja që këta shërbëtorë të Edi Ramës apo të korruptuar të Irena Gjokës, nuk ndërmarrin veprime vetëm e vetëm që delinkuentja Irena Gjoka, që mban detyrën në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, të mos japë llogari para drejtësië për këto fshehje dhe shkelje të rënda.
Katër. Për sa i përket pikës së parë, pra mbarimit të mandatit sepse Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, kjo e bën çdo procedurë gjyqësore të drejtuar prej saj, pas zgjedhjes gjykatëse në kundërshtim me ligj, procedurë të kryer nga një gjykatë jo e caktuar me ligj.
Pra, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës.
Kjo, sipas Kushtetutës, por edhe sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas precedentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Cani kundër Shqipërisë, Irena Gjoka nuk mund të jetë gjykatëse dhe proceset e ndjekura prej saj janë nul.
Rikujtoj këtu se ajo mbahet në detyrë sepse ajo mban dosjen e Ilir Metës, dosje që nuk ka asnjë fakt penal, përveç vendimit hakmarrës primitiv të Edi Ramës ndaj tij”, tha Berisha.