Deputeti i PD, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Shërbimit Civil, denoncoi dy raste flagrante të përfshirjes së nëpunësve të lartë civilë në fushatë elektorale, në shkelje të qartë të ligjit.
Këlliçi paraqiti para drejtuar Komisionere së Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha rastin e parë që i referohej një fotografie të publikuar më pak se 24 orë më parë nga Ministri i Drejtësisë, Besford Lamallari.
Në foto, së bashku me ministrin, shfaqeshin katër drejtorë të përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit: Mirela, Matilda Shabani, Anisa Subashi dhe Entel Agolli. Sipas postimit të ministrit, këta zyrtarë nuk ishin thjesht anëtarë partie, por “të deleguar të Partisë Socialiste” për të siguruar fitoren në Njësinë numër 9, duke mbajtur kështu funksione të larta politike.
Rasti i dytë i denoncuar ishte një incident i ndodhur personalisht Këlliçit ditën e zgjedhjeve, më 11 maj, në një zyrë elektorale të paligjshme dhe të padeklaruar të mazhorancës në Njësinë numër 5. Në këtë zyrë, përveç personave me precedentë penalë, u identifikua edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, Enkeleda Imeraj. Sipas dëshmisë, sapo mbërritën kamerat, zonja Imeraj mbylli laptopin, mblodhi listat dhe hartat nga muri dhe u largua me vrap, pa dhënë kurrë një shpjegim publik. Këto dy raste u paraqitën si prova të pakundërshtueshme të kapjes së administratës, duke i kërkuar komisioneres një reagim të menjëhershëm.