Vokshi: Krimi dhe korrupsioni po diktojnë zgjedhjet në Shqipëri!

Deputetja e PD, Albana Vokshi, në fjalën e saj para Asamblesë Parlamentare me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe të bashkëpunimit afatgjatë me Komisionin e Venecias, vlerësoi rolin historik të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Njëkohësisht ajo shprehu shqetësimin e thellë për mosrespektimin e standardeve demokratike që përbëjnë themelin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Deputetja Vokshi propozoi krijimin e një mekanizmi të përhershëm monitorimi nga Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias, si dhe kushtëzimin e asistencës ndërkombëtare me progres të matshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe integritetit zgjedhor.

Fjala e deputetes Vokshi

Së pari, dua të falënderoj të gjithë panelistët, miqtë, të ftuarit dhe të shquarit që sot janë në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm që shënon 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe bashkëpunimin me Komisionin e Venecias.
Ky moment nuk shënon vetëm një moment të rëndësishëm në udhëtimin e Shqipërisë, por një moment reflektimi se ku jemi, çfarë kemi bërë dhe çfarë na ka mbetur për të bërë për të përmbushur standardet demokratike që përcaktojnë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës.
Unë dua të them që jam shumë krenare që jam pjesë e një force politike, të Partisë Demokratike, e cila gjatë qeverisjeve të saj ka mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, ka mundësuar plotësimin e të gjitha kushteve për anëtarësimin në NATO, për liberalizimin e vizave si dhe rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Tridhjetë vjet më parë Shqipëria, në momentin e anëtarësimit, mori përsipër angazhime konkrete.
Së pari, sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që bien në nenin nr. 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; mori përsipër pavarësi gjyqësore, ndarje pushtetesh, liri të pjesëmarrjes politike dhe liri të mediave, luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe implementimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR.
Ku jemi sot? Për fat të keq, një pjesë e mirë nuk janë plotësuar në praktikë. I kemi në letra, kemi ligje, kemi bërë shumë reforma zgjedhore, kemi bërë shumë reforma të tjera, por implementimi në praktikë ka dështuar.
Bëmë reformë zgjedhore vitin që shkoi; ju, zoti drejtues, edhe kolegu im, dhe ne e kishim dëshirën e madhe për të qenë pjesëmarrës në këtë reformë zgjedhore, e cila u bë në mënyrë krejt sipërfaqësore për shkak të refuzimit nga ana juaj të shumë propozimeve që opozita bëri, dhe implementimi ka dështuar në fakt, dhe këtë e kemi parë në problemet e shumta që kemi hasur për implementimet gjatë zgjedhjeve të fundit.
Nëse i referohem njërës prej shtyllave konkrete, në të cilat ecuria e Shqipërisë do të shqyrtohet në procesin e post-monitorimit, është lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.
Çfarë përballemi sot? Me luftën masive të parave të krimit të organizuar, të drogës, që po pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe turizmit; para, në fakt, që po përdoren edhe në zgjedhje. Flukse masive që janë përdorur në zgjedhje, dhe krimi i organizuar ka pasur një influencë shumë të madhe në zgjedhjet e fundit.
Për korrupsionin, mjafton t’i referohemi raportit të fundit të ‘Business Climate’ të Departamentit të Shtetit Amerikan, që e përshkruan sistemin si të korruptuar dhe klientelist, që dëmton konkurrencën legjitime, PPI-të, institucionet publike, gjyqësorin, duke krijuar një ambient biznesi të mbrojtur nga rrjete kriminale.
Unë nuk do të ndalem te pjesa e pluralizmit politik, sepse ne në Shqipëri, edhe në vitin zgjedhor, si opozitë kemi pasur presione, arrestime politike të liderëve të opozitës. Në vit zgjedhor, të gjithë liderët e opozitës u arrestuan, u burgosën, u persekutuan dhe, për fat të keq, drejtësia e re u keqpërdor si mjet për persekutimin e opozitës. Mjafton t’i referohemi OSBE/ODIHR, e ka fare të qartë: 90% e mediave kontrollohen dhe gazetarët shpeshherë intimidohen, kërcënohen, madje kemi parë edhe kërcënime ndaj jetës së tyre. Para një muaji kemi parë edhe mbylljen e ‘Media Grup’, ku 200 gazetarë nuk u lejuan të futeshin në zyrat e tyre; dosjet që rrezikonin jetën e tyre dhe të burimeve u sekuestruan, edhe pse sot ka një vendim gjykate, ai nuk po zbatohet.
Dy minuta, shumë shkurt, përsa i përket një prej shtyllave të cilave po monitorohet edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, nga BE-ja dhe kështu me radhë.
OSBE/ODIHR e tha qartë-‘no level playing field’ e ka thënë që në fjalinë e parë.
Pra, kemi ligj, kemi kod- çfarë bëhet në praktikë?
Zyrtarët, e thotë OSBE, në 4500 aktivitete, e fshinë fare atë ndarjen e shtetit nga partia. E thotë OSBE që ka pasur presion mbi administratën, ka pasur sistem patronazhi, i cili keqpërdori të dhëna personale duke profilizuar zgjedhësit në mënyrë që të kontrolloheshin dëshirat e tyre, problemet e tyre dhe t’u jepej zgjidhje për të marrë vota. Edhe krimin e përmend OSBE/ODIHR.
Zoti drejtues, më kërkuat rekomandime dhe do t’i jap dhe ato. Unë e di që juve nuk ju pëlqejnë ato që them, por duhet të gjejmë problematikën për të shkuar te zgjidhja. Prandaj jemi këtu: që ne të gjejmë zgjidhjen e problematikës. Nëse ne nuk njohim problemin, nuk do ta zgjidhim kurrë, do të vazhdojmë ju me retorikën tuaj, propagandën, dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet tona.
Pra, çfarë pati në zgjedhjet e fundit? Në shkelje të ‘Code of Good Practice in Electoral Matters’ të Komisionit të Venecias, nuk kishte autoritet publik të pavarur; votuesit nuk ishin të lirë për të formuar një opinion, sepse u kontrolluan nga sistemi i patronazhit të Partisë Socialiste; nuk pati neutralitet dhe pati një kulturë frike dhe varësie.
Dhe po ashtu, ajo që unë dua të përmend, është që ai mekanizmi i famshëm i SPAK-ut, i KQZ-së, policisë dhe prokurorisë dështoi të parandalonte krimin elektoral.
Ne kemi dorëzuar, pavarësisht se nuk kishim besim, rreth 50 kallëzime penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve apo në Prokurorinë e Përgjithshme. Zero hetime. Kemi dorëzuar qindra denoncime zyrtare në KQZ, pothuajse asnjëra nuk u mor parasysh.
Pra, kultura e pandëshkueshmërisë ka bërë që krimi elektoral të mos parandalohet dhe të mos hetohet. Dhe nëse krimi elektoral nuk parandalohet, nuk hetohet dhe nuk dënohet, ne përsëri do të jemi në këtë pikë të fillimit, siç jemi sot.
Pra, për ta përmbledhur: nuk ka pasur përputhshmëri me Dokumentin e Kopenhagës, me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me standardet në pluralizëm dhe barazinë e mundësive.
Gjatë zgjedhjeve pati mobilizim të 200 mijë punonjësve të administratës për aktivitete politike; u shpërndanë bonuse 100 euro për mbi 760 mijë pensionistë; mbi 300 milionë u keqpërdorën në bujqësi në paketën e maleve; mbi 500 milionë në elektoratin përmes tenderave e kështu me radhë. Dhe 40 grupe kriminale u përfshinë gjatë zgjedhjeve, si dhe kartele droge që mbështetën rreth 28 kandidatë të Partisë Socialiste në 10 qarqe nga 12, dhe mbi 25 prej tyre janë sot në Parlament, përfaqësues, sigurisht, jo të qytetarëve.
Cilat janë zgjidhjet që ne propozojmë?
Së pari, një grupim, komision, monitorim, një mekanizëm monitorimi të përhershëm nga Këshilli i Europës dhe nga Komisioni i Venecias në implementimin e rekomandimeve zgjedhore dhe në reformën në drejtësi.
Sigurisht, kushtëzimi i asistencës së BE-së dhe Këshillit të Europës me progres të matshëm.
Dua të garantoj që opozita ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar për të implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe sigurisht çdo ligj apo masë që duhet për ecjen e Shqipërisë drejt BE-së.

About Redaksia

Check Also

Intervista-Hasimja/ E gjithë opozita e bashkuar për të fituar Tiranën me Florin

Pyetje: Zoti Hasimja Deri më sot jemi mësuar të të prezantojmë si analist politik, por …