Vrasja e dyfishtë në Durrës/ Gjekmarkaj: Nuk është thjesht krim, por aktakuzë! Kur shteti tërhiqet, krimi avancon!

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku dy të rinj u vranë në një lokal në Manzë. humbën jetën në një akt të rëndë kriminal. Në një deklaratë për shtyp, Gjekmarkaj akuzon Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për dështim të plotë në garantimin e sigurisë publike dhe luftën ndaj krimit.

Deklaratë për Shtyp e Gjekmarkajt
Për ngjarjen tragjike në Manzë, Durrës

Ngjarja tragjike e ndodhur në Manzë, ku dy të rinj humbën jetën në mënyrë të dhunshme, është një tjetër dëshmi e hidhur e degradimit të sigurisë publike dhe dështimit të institucioneve përgjegjëse për rendin dhe parandalimin e krimit në vendin tonë.

Kjo nuk është thjesht një ngjarje kriminale. Kjo është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë dhe një aktakuzë e drejtpërdrejtë ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, të cilat janë kthyer në institucione të paralizuara, të shkëputura nga realiteti dhe interesat e qytetarëve.

Nuk mund të ketë siguri publike kur ministrja e Brendshme, znj. Albana  Koçiu merret me adresat e qytetarëve, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Ilir  Proda, ka “adresën” e përditshme shumë larg punës së tij dhe përgjegjësive që i takojnë.

Ky është rezultati i politizimit ekstrem të institucioneve të rendit, mungesës së vizionit, përgjegjësisë dhe angazhimit serioz për të luftuar krimin dhe për të garantuar jetën e qytetarëve. Kur shteti tërhiqet, krimi avancon. Dhe sot, jemi përballë një realiteti ku jeta e të rinjve shqiptarë po preket në mënyrën më tragjike, në mes të ditës, pa asnjë ndjenjë frike nga drejtësia.

Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Kërkojmë urgjentisht hetim të thelluar, ndëshkim të autorëve dhe përgjegjësve institucionalë. Por më shumë se kaq, kërkojmë që shteti të kthehet në shërbim të qytetarëve, jo në strehë për paaftësinë dhe indiferencën.

Koha e lojërave politike me sigurinë e njerëzve duhet të marrë fund.

About Redaksia

Check Also

Si gënjeu Rama në Londër për vizitën e tij në Rusi, Berisha publikon videon  

Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama duke e quajtur “Maduron …