Nga Ugo Cundari,
Disa e përshkruajnë Shqipërinë si një “narkoshtet”, dhe duke lexuar dokumentet e hetimeve, ky nuk duket aspak një ekzagjerim. Gjithçka fillon pas rënies së regjimit komunist, nga vitet ’90 e tutje, kur shqiptarët, të varfër dhe të dëshpëruar, zbarkuan në Itali, duke ëndërruar “Lamerikën”, për të përdorur fjalën e Gianni Amelio. Disa prej tyre, sapo zbarkuan, ndërtuan një karrierë kriminale duke mësuar pranë mafiozëve, kamorristëve, ‘ndranghetistëve dhe anëtarëve të ‘Sacra Corona Unita’.
Ata lidhën një marrëveshje me klanet italiane dhe u bënë së pari skafistë dhe kontrabandistë, pastaj rrahës dhe vrasës me pagesë të krimit të organizuar, “e më pas trafikantë njerëzish dhe trafikantë droge që sot, shumë të fuqishëm, kontrollojnë qendra shpërndarjeje dhe porte në të gjithë botën”, shkruan gazetari investigativ nga Nola, Nello Troçhia, në librin ‘Invincibili’, ku, përmes dëshmive të gjyqtarëve, viktimave, hetuesve, ish-vrasësve, trafikantëve, narkotikëve dhe sipërmarrësve, rindërton historinë e klaneve shqiptare që e nisën nga Roma për të pushtuar botën.
Së pari filluan të trafikonin kanabis, pastaj heroinë, falë lidhjeve me mafian turke, dhe më në fund kokainë, për të cilën, thekson Nicola Gratteri, prokuror i përgjithshëm i Napolit, “janë bërë ndërmjetës ndërkombëtarë. Menaxhojnë pjesën më të madhe të kokainës të shitur në Evropë dhe kontrollojnë pothuajse të gjitha tregjet e drogës në Londër. Falë aleancës tregtare me ‘Ndranghetën, mafia shqiptare ka arritur të konsolidohet në Amerikën Latine, veçanërisht në Ekuador, Kolumbi dhe Brazil”.
Si tek klanet kalabreze, edhe tek ato shqiptare është e vështirë që dikush të pendohet; mbizotëron familja e ngushtë. Ata kanë një rrjet njerëzish të pafajshëm, në emër të të cilëve regjistrojnë gjithçka. Lëvizin në heshtje, nën sipërfaqe, dhe janë mizorë pa mëshirë. Gjatë luftës së Secondigliano-s, midis 2003 dhe 2005, mes Di Lauro dhe ndarësve, thuhej se të parët kishin një grup shqiptarësh që, pas vrasjes, u prisnin kokat viktimave.
Një person i ’Ndranghetës, i vendosur në Romë ku njohu shumë mirë shqiptarët, rrëfen për ta: “Janë të besueshëm, janë mizorë, janë seriozë, kanë vetëm një fjalë. Kanë më shumë besueshmëri se kamorristët. Kjo është një tipar thelbësor. Kur bën marrëveshje me ta, nuk janë zhurmues si romanët, nuk bëjnë gjeste, nuk bëjnë shfaqje. Oferta e tyre është e gjerë dhe e favorshme. Kanë gjithçka: bar, heroinë, kokainë, AK-47, bomba dore, uzi, pushkë, pistoleta”.
Një tjetër i penduar, pasardhës i një prej familjeve më të fuqishme të ’Ndranghetës, thotë: “Narkosit shqiptarë kanë familje të pastra, marrin gjithçka në Evropë dhe Itali. Kanë regjistruar te njerëz të besuar piceri, hotele, restorante, plazhe. Cikli i ndërtimit të paligjshëm nuk është më i yni. Ata sjellin pesëdhjetë familje fatkeqe dhe blejnë gjithçka. Kanë një ushtri njerëzish në emër të tjerëve. Pa harruar se në vendin e tyre riciklojnë dhe bëjnë çfarë duan”.
Klanet e Tiranës dinë të lidhen me politikanët për të marrë tendera dhe autorizime në këmbim të votave dhe favoreve: parabola kriminale e bosëve shqiptarë, “ngjitja e këtij lloji të veçantë mafie na prek të gjithëve. Sepse nga Ekuadori në Itali, nga Evropa në Dubai, në krim valëvitet një flamur, dhe është shqiptar”.