Elton QYNO
Sigurisht që ky është një lajm, për faktin se SPAK jo vetëm ka arritur tek niveli i zëvendëskryeministres në detyrë, zonjës Belinda Balluku, por përbën lajm dhe interes jo vetëm për të përgjithshëm, por edhe të veçantë për publikun për sa i përket çështjes për të cilën Balluku është hetuar dhe që së shpejti pritet t’i komunikohet akuza për shkelje të barazisë në tendera, por edhe shpërdorim i detyrës.
Është një situatë e cila është regjistruar që prej vitit 2021, çështje e cila përbën në thelb kohën edhe kur është dhënë një tender për monitorimin e mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë. Është një rast që është denoncuar edhe nga ky televizion, por edhe nga media të tjera për mënyrën sesi është kryer jo vetëm kontrata koncesionare për ndërtimin e këtij tuneli, por është denoncuar edhe një kontratë tjetër që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve.
Kjo do të thotë se Ministria e Infrastrukturës, përveçse ka hapur tenderin për kryerjen e punimeve, ka hapur edhe një tender të dytë për mbikëqyrjen e punimeve.
Dhe në këtë tender të dytë rezulton që të kenë marrë pjesë 4 kompani, të cilat kanë bërë një bashkim operatorësh ekonomikë dhe nënkupton që 2 kompani kanë hyrë së bashku, ndërsa 2 kompani të tjera kanë hyrë së bashku me platformë që quhet BOT.
Dy kompanitë që kanë hyrë dhe kanë garuar së bashku janë HILL INTERNATIONAL NV dhe NET GROUP e Valter Begajt, një lidhje miqësore mjaft e afërt e Ervis Berberit dhe e Ervis Lamit, të cilët janë në një çështje të dytë hetimore dhe janë marrë të pandehur për sa i përket abuzimit me tenderat tek ARRSH.
Ndërkohë që të dy kompanitë e tjera janë skualifikuar nga ky tender me vlerë 2 milionë euro dhe më pas fitues janë shpallur pikërisht njerëzit e Ervis Berberit, por edhe njerëzit e afërt të Belinda Ballukut.
E bëra këtë parantezë sepse dua të them se çështja nuk ka lindur posaçërisht për t’u hetuar kjo kontratë; çështja ka lindur për të hetuar mënyrën e formalizimit të tenderave në ARRSH nga disa zyrtarë dhe drejtorë të kësaj drejtorie.
Në momentin kur SPAK ka shkuar dhe ka kryer veprime hetimore ndaj këtyre subjekteve, qoftë nga Valter Begaj, Ervis Berberi dhe zotërinj të tjerë, të cilët tashmë janë të pandehur, në banesën e Ervis Berberit janë sekuestruar 4 aparate telefoni.
Të katër këto aparate telefoni janë këqyrur dhe ekspertuar elektronikisht për llogari të këtij procedimi të parë, por në fakt, pas verifikimit të mesazheve që ka kryer Ervis Berberi me Belinda Ballukun dhe zyrtarë të tjerë, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, rezultoi që ishte paracaktuar edhe ky tender tjetër dhe kjo kontratë me 2 milionë euro.
Dhe në këto kushte, paralelisht me hetimin e parë, u nda një hetim i dytë. Ka një zgjerim të hetimeve për një episod tjetër të korrupsionit.
Nga biseda e Berberit me Belinda Ballukun ka rezultuar që ky tender është paracaktuar dhe e gjithë procedura e komisionit të vlerësimit të ofertave në ARRSH ka qenë totalisht fiktive, pasi gjithçka është trukuar përmes negocimit që këto zyrtarë të lartë kanë bërë me njëri-tjetrin, prandaj dhe Balluku sot është në këtë gjendje juridike, sa i përket akuzës që pritet t’i bëhet javën e ardhshme.
Duke qenë që tenderi është zhvilluar në dhjetor të vitit 2021, nga momenti që është kryer vepra penale deri në momentin ku jemi sot, jemi në limitin kohor të hetimit të një dosjeje dhe komunikimit të akuzave.
Nëse nuk merren masa brenda një afati 5-vjeçar, atëherë vepra penale parashkruhet dhe automatikisht t’i amnistohet, përmes afatit, sepse çdo vepër penale ka një afat që hetohet.
Gazeta RD