OSBE/ODIHR: Farsë elektorale dhe Shkelje e Hapur e Kartës së Kopenhagenit

Nga Bujar Leskaj

Raporti përfundimtar i misionit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 përbën një dokument të qartë, të detajuar dhe profesional, që dëshmon për devijime thelbësore nga standardet demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e përshkruar procesin zgjedhor si një garë të pabarabartë, të manipuluar dhe të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga partia në pushtet.

Ky raport realist, i paanshëm dhe shterues në analizën e tij, konfirmon se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë e mirëfilltë elektorale, një proces i zhveshur nga fryma e votës së lirë dhe e ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë në pushtet.

I. Devijime të thella nga standardet e demokracisë funksionale

Në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, raporti i OSBE/ODIHR nxjerr në pah devijime të thella nga standardet e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës, duke evidentuar se procesi zgjedhor u zhvillua nën kontrollin e plotë të Partisë Socialiste dhe strukturave të ekzekutivit të saj.

Në Raport pasqyrohet qartësisht ajo që opozita shqiptare, në veçanti Partia Demokratike dhe kryetari i saj Prof. Dr. Sali Berisha kanë denoncuar gjatë gjithë kësaj periudhe: faktin kokëfortë se në Shqipëri nuk pati zgjedhje të lira, por një proces të manipuluar nga sekti Rama në qeverisje, i cili përdori çdo instrument të shtetit për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

Sipas raportit, zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të qeverisë. Kjo e fundit nuk ngurroi të përdorte të gjitha burimet publike: administratën shtetërore dhe institucionet shtetërore për qëllime elektorale.

Misioni i OSBE/ODIHR konstaton se Partia Socialiste, përmes sistemit të patronazhimit, presionit ndaj votuesve, përdorimit të investimeve publike, punësimeve elektorale dhe shit-blerjes së votës, ngriti një makineri të plotë për shkatërrimin e votës së lirë. Përfshirja e drejtpërdrejtë e administratës në fushatë, frikësimi i zgjedhësve dhe kërcënimet ndaj përfaqësuesve të opozitës janë shkelje të hapura të parimit të barazisë dhe të lirive themelore që garantojnë proceset demokratike.

II. Fushatë e pabarabartë dhe përdorim politik i burimeve publike

Në raportin e tij, OSBE/ODIHR thekson se problemet themelore të integritetit zgjedhor nuk munguan. Sipas misionit, ndërhyrja e strukturave shtetërore në fushatë, përdorimi i administratës për qëllime politike dhe mungesa e ndarjes së qartë mes partisë në pushtet dhe institucioneve publike vazhdojnë të dëmtojnë perceptimin e drejtësisë dhe konkurrencës zgjedhore.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR vlerësojnë se fushata zgjedhore u dominua nga partia në pushtet, e cila pati përparësi të qartë në aksesin në media dhe në burime logjistike, ndërsa opozita pati mundësi të kufizuara për të komunikuar mesazhin e saj.

Raporti nënvizon raste të shpërndarjes së fondeve publike dhe projekteve infrastrukturore gjatë periudhës zgjedhore, që, sipas misionit mund të kenë ndikuar te vullneti i votuesve.

OSBE/ODIHR evidenton presione të raportuara ndaj punonjësve të administratës publike, si dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve për qëllime elektorale – problem i përsëritur në ciklet e fundit zgjedhore.

III. Probleme me listat e votuesve dhe administratën zgjedhore

Një tjetër pikë kritike është përditësimi i listave të zgjedhësve, i cili sipas raportit mbetet problematik për shkak të mungesës së verifikimeve të sakta mbi adresat dhe emigracionin.

OSBE/ODIHR thekson gjithashtu se përbërja e komisioneve zgjedhore në disa zona u ndikua nga vendimmarrje politike dhe jo nga parimi i profesionalizmit dhe paanshmërisë, gjë që cenon besimin publik në proces.

Raporti thekson se përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe presioni mbi votuesit dëmtoi ndarjen e qartë midis shtetit dhe partisë në pushtet, duke përbërë shkelje të angazhimeve të marra nga Shqipëria në Kartën e Kopenhagës të vitit 1990, e cila përcakton qartë se shtetet pjesëmarrëse në OSBE duhet të garantojnë ndarjen e plotë mes strukturave shtetërore dhe atyre partiake, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në të cilat çdo qytetar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet pa frikë dhe pa ndërhyrje.

Sipas Raportit, këto parime, të cilat janë themeli i demokracive funksionale, u shkelën në mënyrë sistematike gjatë procesit të 11 majit.

IV. Media e kontrolluar nga pushteti

Një ndër aspektet më shqetësuese që thekson raporti i është gjendja e medias në vend, e cila përshkruhet si e politizuar, e përqendruar dhe e kontrolluar nga pushteti. Misioni i OSBE/ODIHR evidenton se aksesi i votuesve në informacion të paanshëm ishte i kufizuar, për shkak të përqendrimit të pronësisë mediatike, vetëcensurës së gazetarëve dhe dominimit të lajmeve që burojnë nga partitë e mëdha, kryesisht ajo në pushtet.

Në raport thuhet qartë se mjedisi mediatik mbetet i kufizuar, me mungesë pavarësie editoriale dhe ndikim të drejtpërdrejtë politik, ndërsa shpifja mbetet e kriminalizuar dhe gazetarët përballen me padi dhe presione.

Sipas Raportit të OSBE/ODIHR, gazetarët raportojnë për kufizime të rritura në aksesin ndaj përfaqësuesve të qeverisë, përfshirë vetë Kryeministrin, me një ulje të dukshme të konferencave për shtyp dhe raste kur gazetarëve u ndalohet pjesëmarrja në aktivitete publike, gjë që bie ndesh me standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit.

Përmbajtja redaksionale e lajmeve, në shumë raste, është zëvendësuar nga materiale të përgatitura nga institucionet shtetërore, çka komprometon integritetin editorial të mediave dhe e zhyt raportimin publik në propagandë.

Raporti e përshkruan Agjencinë e Medias dhe Informacionit pranë Kryeministrit si një zyrë që qendërzon dhe filtron informacionin që shpërndahet për aktivitetet e qeverisë dhe institucioneve publike, duke e bërë median një zgjatim të pushtetit politik dhe jo një instrument të lirisë dhe transparencës.

Në përfundim, raporti i OSBE/ODIHR ofron 25 rekomandime konkrete për autoritetet shqiptare, të cilat kërkojnë reformë të thellë ligjore dhe institucionale për të garantuar zgjedhje vërtet demokratike.

Mes tyre theksohet nevoja për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe mënyrës së emërimit të saj, ndalimin e përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale që nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve e deri në ditën e votimit, si dhe ndalimin e transmetimit në media të materialeve të përgatitura nga partitë politike apo institucionet shtetërore, të cilat deformojnë realitetin dhe ndikojnë në formimin e opinionit publik.

xxx

Raporti përfundon me konstatimin se zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri nuk përmbushën angazhimet ndërkombëtare të vendit dhe u zhvilluan në kundërshtim të hapur me parimet e Kartës së Kopenhagës, të cilat garantojnë votën e lirë, konkurrencën e ndershme dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në thelb, misioni vëzhgues konkludon se opozita shqiptare nuk pati përballë një parti politike, por vetë shtetin e vënë në shërbim të një partie të vetme. Ky realitet, i dokumentuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale, përbën një dëshmi të hidhur për degradimin institucional dhe për krizën e demokracisë në Shqipëri, ku zgjedhjet janë kthyer në instrument të pushtetit e jo në mjet të sovranitetit qytetar.

About Redaksia

Check Also

Në hetimet e Ballukut ekspozohet Rama/ Cili është roli i amerikanëve? Provat e gjetura, foto kompromentuese

Në hetimet e Ballukut një rol parësor kanë ekspertët amerikanë/ Dokumentat dhe materialet ishin zhdukur, …