Kur pyeten shqiptarët se “Sa të lehtë e keni që të përballoni fundin e muajit”, rreth 55% e tyre përgjigjen me “me shumë vështirësi” ose “me vështirësi”. Kjo shifër është shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, ku vetëm 17.4% e europianëve ndihen të varfër.
Eurostat mat dhe varfërinë subjektive, që është një fushë e re studimi, e krijuar për të plotësuar treguesit tradicionalë të varfërisë, si p.sh. rreziku për të qenë i varfër, mungesa e rëndë materiale dhe sociale, apo jetesa në familje ku pothuajse askush nuk është i punësuar.
Ky është një tregues që mat perceptimin personal të njerëzve mbi aftësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme, ndryshe nga varfëria relative që matet në bazë të të ardhurave. Pyetja mbi të cilën bazohet anketa është: “Sa e keni të lehtë ta përballoni fundin e muajit?”
Ndryshe nga treguesit relativë të varfërisë – që llogariten në bazë të të ardhurave mesatare të familjeve në një vend – treguesi i varfërisë subjektive mat perceptimin e vetë të anketuarve mbi vështirësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme.
INSTAT raportoi më herët se në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, është 19,2 %, duke pësuar një rënie prej 0,6 pikë përqindje, krahasuar me të dhënat e rivlerësuara për vitin 2023. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2024 është vlerësuar me 324.336 lekë, në krahasim me 262.325 Lekë që ishte në vitin 2023.
Perceptimi i varfërisë nga shqiptarët afrohet më shumë me treguesin e varfërisë dhe përjashtimit social, që përfshin 40.5% të popullsisë, sipas të dhënave që u publikuan së fundmi nga INSTAT.
Kjo do të thotë se 40.5% e popullsisë plotësojnë të paktën një nga këto tre kritere:
-Janë në rrezit të varfërisë monetare – të ardhurat e një personi janë më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare.
-Kanë mungesa materiale ose sociale të rënda – personi nuk ka mundësi të përballojë shpenzime bazë si ngrohja, pagesa e faturave, blerja e ushqimit, rrobave, pushimeve etj.
-Jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune – kur të rriturit në një familje punojnë shumë pak ose aspak gjatë vitit.
Europa
Një në gjashtë qytetarë të Bashkimit Europian e percepton veten si të varfër, edhe pse mund të mos jetë i tillë sipas treguesve zyrtarë të të ardhurave. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, për vitin 2024, 17.4% e popullsisë së BE-së raportoi se e përballon jetesën “me vështirësi” ose “me shumë vështirësi”, duke u klasifikuar në varfëri subjektive.
Ndër vendet anëtare të BE-së, Greqia kishte përqindjen më të lartë të personave që konsiderohen subjektivisht të varfër (66.8%), e ndjekur nga Bullgaria (37.4%) dhe Sllovakia (28.7%).
Në anën tjetër të shkallës, nivelet më të ulëta u regjistruan në Holandë dhe Gjermani (të dyja me 7.3%) si dhe në Luksemburg (8.5%).
17.8% e italianëve ndihen të varfër, përkundrejt 22% të spanjollëve dhe francezëve.
Në të gjithë Europën, gratë ndihen disi më të prekura nga vështirësitë financiare (17.8%) se burrat (17.0%). Varfëria subjektive është më e lartë te të rinjtë nën 18 vjeç (20.6%) dhe më e ulët te mosha mbi 65 vjeç (14.9%).
Eurostat thekson se varfëria subjektive është një masë plotësuese ndaj asaj “objektive” – sepse nuk mat vetëm të ardhurat, por edhe ndjenjën e pasigurisë që shkaktohet nga çmimet, borxhet dhe standardet e jetesës në një vend të caktuar.
Në 16 vende të BE-së, përqindja e atyre që ndihen të varfër është më e madhe se ajo e personave që janë realisht në rrezik varfërie sipas të ardhurave./Monitor




Gazeta RD