TIRANË-Numri i çështjeve të prapambetura në Gjykata, është kthyer në një pengesë serioze të aksesit për drejtësi. Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi ka deklaruar se sistemi gjyqësor po përballet me mbingarkesë të paprecedent, duke e cilësuar gjendjen “në kolaps”. Qeleshi u shpreh se shteti të ndërmarrë një verifikim të plotë për të vlerësuar si do zgjidhet situata.
“Ka ardhur momenti që shteti të ndërmarrë një verifikim të plotë për të vlerësuar si do zgjidhet situata. Gjyqtarët bëjnë maksimumin, por kanë kapacitete të kufizuara. Asnjë magjistrat sot nuk punon në kushte normale. Një gjyqtar i shkallës së parë ka mbi 1,500 dosje, ndërsa në Apel ka një stok prej 50 mijë dosjesh,” deklaroi ajo për News.24.
Gjatë raportimit vjetor të KLP në Kuvend më 20 tetor, problemi i dosjeve u ngrit si shqetësim nga anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Vatë Staka. Sipas Stakës, një nga arsyet kryesore për vonesat në shqyrtimin e çështjeve është numri i pamjaftueshëm i prokurorëve që ushtrojnë detyrën. Ai sqaroi se shumë prokurorë janë të angazhuar në pozicione të tjera ose pranë institucioneve të ndryshme, dhe kjo redukton numrin e atyre që mund të ndjekn çështjet penale.
Nga ana tjetër kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, tha se kanë kërkuar në mënyrë informale nga Bashkimi Evropian një studim mbi nevojat reale për sistemin gjyqësor bazuar në popullsinë dhe ngarkesën e punës.
Gazeta RD