Berisha: Votuam për ngritjen e komisioneve për 2 arsye themelore, edhe pse me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka sqaruar në Kuvend arsyet e votimit të opozitës për ngritjen e komisioneve, atë zgjedhore dhe territoriale. Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.

“Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore.

Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.

OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.

Kjo është e vërteta.

Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.

Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.

Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.

Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën.

Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nuk hëngri dardha pas shpinës së kryetarit/ Bardhi: Balluku është hija e zezë e pushtetit të Edi Ramës!

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar edhe njëherë në lidhje me …