Gjekmarkaj: Parlamenti nuk është pronë e PS, nuk është spitali që fashon plagët e korrupsionit!

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj i bëri thirrje mazhorancës të reflektojë dhe të mundësojë një seancë normale, duke pretenduar se prej dy muajsh kjo e drejtë i është mohuar vendit.

Gjekmarkaj tha se, përmes akteve tuaja, seancë pas seance, ku tentoni të asgjësoni çdo të drejtë të opozitës, të provokoni opozitën, të shpikni rregulla të reja, të padëgjuara më parë, ju nuk po asgjësoni opozitën, por keni asgjësuar parlamentin, që është pronë e qytetarëve.

Ai tha se, Parlamenti i Shqipërisë nuk është pronë e Partisë Socialiste. Nuk është spitali që fashon plagët e korrupsionit. Përndryshe mos harxhoni drita, ujë dhe roje. Mblidhuni një herë në gjashtë muaj”.

“Zoti kryetar i Kuvendit, në shenjë respekti për këtë seancë, fjalën time për procedurë e kam menduar të shkruar. Në cilësinë e nënkryetarit të këtij institucioni, ju ftoj shumë qetësisht të reflektoni dhe të bëni të mundur një seancë normale, sepse në dy muaj ja keni mohuar vendit dhe parlamentarizmit një të tillë. Përmes akteve tuaja, seancë pas seance, ku tentoni të asgjësoni çdo të drejtë të opozitës, të provokoni opozitën, të shpikni rregulla të reja, të padëgjuara më parë, ju nuk po asgjësoni opozitën, atë nuk do ta arrini kurrë, por keni asgjësuar parlamentin, që është pronë e qytetarëve të saj.

Ne, deputetët e opozitës, kemi ardhur sot këtu shumë seriozisht të përgatitur, me respekt për titullarët e institucioneve dhe ata duhet të na dëgjojnë ne me respekt. Ju lutem, mos e sabotoni këtë seancë. Shoqëria po ju sheh dhe po ju gjykon. Ndaj duhet të lejoni deputetët të bëjnë punën e tyre, të bëjnë pyetje. Ashtu siç kanë bërë 35 vite në këtë sallë. Pyetja nuk është mekanike. Ajo ka tekst dhe kontekst, ajo mbart emocione njerëzore, ajo mbart këndvështrime. Ajo nuk është një gjë e thatë. Ajo përfaqëson interesin e qytetarëve. Secili prej nesh këtu që bën një pyetje, pasqyron një shqetësim të qytetarëve.

Prandaj qytetarët kanë të drejtë të kuptojnë shqetësimin dhe pyetjen që buron prej tij. Nëse na mohoni këtë të drejtë, ju fyni qytetarët, por fyni edhe titullarët e institucioneve dhe fikni parlamentin. Ju po i trajtoni titullarët e institucioneve të drejtësisë si zëdhënës të deputetëve, që në fakt nuk janë. Me çfarë të drejte ju i kërkoni atyre të bëjnë prezantimin e pyetjes së deputetëve dhe prezantimin e përgjigjes? Përndryshe i bie që titullarët të na përgjigjen me shkrim.

Na përgjigjen me postë, nga dikush nga sekretaria e Kuvendit të lexojë në vendin e tyre. Ose t’i lexojmë ne deputetët. Pra, ky është arsyetimi nga e kundërta. Nëse seanca bëhet siç dëshironi ju, në kundërshtim me rregulloren, ajo është asgjësimi i traditës 35-vjeçare të respektuar nga ne dhe ju, kushdo që ka administruar Kuvendin, nga Pjetër Arbnori te Servet Pëllumbi, nga Jozefina Topalli te Ilir Meta, nga Gramoz Ruçi, Lindita Nikolla, apo Elisa Spiropali. Pse ju duhet të silleni ndryshe me opozitën? Ku e gjeni kurajën, në ç’të drejtë, zoti Peleshi?

Unë e kuptoj që të gjithë ju jeni nën efektin e ngjarjeve që vetë i keni gatuar, por parlamenti i Shqipërisë nuk është pronë e Partisë Socialiste. Nuk është spitali që fashon plagët e korrupsionit. Përndryshe mos harxhoni drita, ujë dhe roje. Mblidhuni një herë në gjashtë muaj, si Haxhillari, se jeni fare pranë tij. Ju ngrini vetëm kartonat dhe kështu kursejmë shpenzimet e kota në një kuvend që ju qartësisht nuk doni që ai të funksionojë. E në fund, më lejoni t’ju kujtoj se në fillim ju u zgjodhët si kryetar Kuvendi, por menjëherë u shndërruat në lajmëtarë, siç thuhet në gjuhën e bukur turke, në haberçi.

Ju lutem, sado pak, përpiquni të riktheheni kryetar i Kuvendit. Kjo pjesë këtu ju do përsëri ju si haberçi. Përndryshe, ju sjell në vëmendje se për të ndërtuar një portret të ndershëm dhe korrekt me detyrën, njeriu mund të mundohet gjithë jetën. Për t’u turpëruar mjafton vetëm një moment”, u shpreh Gjekmarkaj.

About Redaksia

Check Also

“Eshtë Rama jo Bela”/ Dëshmia e Ahmetajt: Kam qenë prezent, kreu sugjeroi që këta të bënin një kombinim…

Si nisi hetimi për tunelin e Llogarasë Në gusht të vitit 2024, Gazmend Bardhi, në …