Tabaku: Po e ktheni parlamentin në bunker!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se, Parlamenti nuk është një “kuti postare” ku pyetjet thjesht dorëzohen me shkrim, por një “sallë debati”. Ajo shprehu frustrimin për pamundësinë për t’u drejtuar pyetje drejtpërdrejt drejtuesve të institucioneve të rëndësishme, si Prokurorit të Përgjithshëm apo Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke theksuar se rregullorja ia lejon këtë të drejtë në seancë plenare.

“Unë drejtoj komisionin e të drejtave të njeriut dhe të medias. Kam pyetje për prokurorin e përgjithshëm për hartën e re. Kam pyetje për kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re. Nuk jam në komisionin e ligjeve, do t’i bëj këtu në seancë. Ma lejon rregullorja. Parlamenti nuk është kuti postare. Këtu nuk është kuti postare që hajde bëj një pyetje dhe merre përgjigjen po me shkrim.

Parlamenti është sallë debati. Manualin që ju citoni, të miratuar me votat e atyre të cilët ndryshuat edhe kodin elektoral, që morët zgjedhjet e 2021-shit, mos na e cito fare këtu në sallën e parlamentit. Ai manual nuk duhej të ishte akoma në fuqi në momentin kur ai nuk është votuar nga opozita. Pjesë-pjesë zoti Peleshi po i hiqni opozitës gjithmonë e më shumë nga një hapësirë. Është bërë dy muaj që ka filluar parlamenti, s’kam dalë dot akoma në atë foltore. Akoma nuk ka folur asnjë deputet i opozitës në foltore.

Lejoni që të vazhdojë debati, lejoni që drejtuesit e institucioneve që nuk kanë nevojë fare për mbrojtjen tënde, fare fare, ja dalin zot vetë atje. E bëmë 2023-shin diskutimin, e bëmë 2024-ën, t’i përgjigjen pyetjeve. Drejtësia është e pavarur deri kur ju prek juve? Se po ju preku ju atëherë nuk është e pavarur. Në këtë parlament ne kemi diskutuar heqje mandatesh ministrash, do diskutojmë heqje mandatesh të tjerë ministrash me shpresë të Zotit po nuk i mbrojtët deri në ditë të fundit sa më shpejt.

Po, është e patolerueshme që deputetëve të opozitës çdo ditë t’i hiqet një përgjegjësi. Hoqët komisionet hetimore, hiqni kohën e debatit, votoni rezolutat pa pasur diskutim. Nuk lejoni mocionin me debat, nuk lejoni interpelancat, nuk lejoni absolutisht asgjë. Për çfarë do bëjmë këtu në parlament? Për çfarë kemi marrë votat për të ardhur këtu në parlament? Për të na lexuar sekretaria pyetjet tona? Kjo nuk është çështje teknike, kjo është çështje politike. Kjo është edhe çështje e hapësirës së opozitës.

Kështu që unë besoj që do e gjeni edhe në memorien tuaj diskutimet e viteve të kaluara për të parë që drejtuesve të institucioneve të pavarura s’i ka ndodhur asgjë. Biles ka bërë akoma dhe më mirë debati në këtë sallë parlamenti. Zoti Peleshi, po ju thërras si kryetar i parlamentit. Mos e ktheni në bunker parlamentin e Shqipërisë. Na lejoni kohën tonë si opozitë të flasim, s’ka vdekur njeri nga fjala, nuk është vrarë njeri nga fjala.

Lejoni drejtuesit e institucioneve që t’i përgjigjen pyetjeve të opozitës, të qytetarëve dhe të ketë një debat publik për ato që kanë ndodhur gjatë vitit të shkuar, po akoma më e rëndësishme për ato që ndodhin këtë vit”, tha Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Në kushtet e një parlamenti që bllokon tërësisht hapësirën e opozitës, qytetarët do thonë fjalën e tyre!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh jashtë sallës së parlamentit se pseudo-mazhoranca ka …