Kryetari i PD, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Xhorxh Soros si përgjegjës për “katastrofën” në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Berisha theksoi se, reforma në drejtësi, që sipas tij është shndërruar në një mekanizëm politik për kontrollin e institucioneve, ka çuar vendin në një kolaps të plotë ligjor, ku qytetarët presin me vite për zbardhjen e vendimeve gjyqësore dhe ku prokuroria është “e paralizuar dhe pa kompetenca reale”.
“Tani, kjo është situata.
Ne bëmë të pamundurën që shqiptarët të marrin vesh.
Nesër janë dy institucione të tjera, KLGJ dhe KLP.
Unë vlerësoj, edhe njëherë, ato diskutime që bënë para jush në komisione, duke paraqitur jo fshehur realitetin, por duke dëshmuar se është një katastrofë, se ishte 16 vite dhe tani është 16 ditë më pak.
A e kuptoni që ne jemi deputetë të një vendi ku njeriu që merr një dënim, që mund të jetë dënim i padrejtë, duhet të presë 1200 ditë për të marrë zbardhjen e vendimit?
A mund të pranohet një situatë e tillë?
Po pse kjo?
Sepse e thanë vetë ata, ka gjykatës me 1 mijë vendime.
Shkoni në burgje, shihini njerëz aty, me qindra, nuk kanë marrë vendimin, rrinë aty.
Prokurori i Përgjithshëm, i cili duhet të jetë kryesori në zbatimin e ligjshmërisë së vendit, është kukull. Unë nuk e mbroj atë, i dini ju qëndrimet e mia ndaj tij, por ama ia kanë hequr kompetencat.
Ky tjetri thotë e arrestuan, keq ishte ajo që bënë, por kush të pengoi ty të hapësh çështje penale për atë që i bënë Ilir Metës?
Është ish-president ai. Është nga ata studentë që në vitin 1990 kërkoi publikisht pluralizmin. Ka qenë kryeministër, kryetar parlamenti.
Çfarë pengese kishe ti të vësh para ligjit ata?
Çfarë pengese kanë për prokurorin që arrestoi avokatin në sallën e gjyqit.
Nuk mbaj mend në diktaturë të ishte arrestuar në sallë gjyqi, nuk kisha dëgjuar ndonjëherë.
Dhe rrinë dhe shohin njëri-tjetrin.
Prandaj dhe këto diskutime me seriozitetin më të madh duhet t’u themi shqiptarëve se këtë katastrofë e bëri Edi Rama me padrinon e tij Xhorxh Soros dhe netuorket e veta. Se kjo është e vërteta.
Natyrisht është tmerrësisht e dhimbshme, është dramatike. Vendi jeton me statistikat e Troplinit dhe koka turku që në trashëgiminë 500-vjeçare.
Po këto janë të vërteta.
U pa se çfarë urrejtje shpërtheu kur në mënyrën më të dënueshme u ekzekutua në sallën e gjyqit gjykatësi, çfarë urrejtje shpërtheu kundër drejtësisë.
Ata janë viktima të kësaj reforme.
Ua them unë se duhet t’i shohim siç duhet.
Ata janë aktorë, por edhe viktima të kësaj reforme.
Se të shohësh një shpërthim të atillë, nuk kisha parë ndonjëherë.
Ndaj dhe një mazhorancë krimi që ulte kokën aty, as nuk e mbronte dot se nuk kishin si ta mbronin se kishin dosjet e veta.
U përpoqën të na pengojnë, por dështuan edhe në atë përpjekje.
Ndaj dhe ne duhet të qëndrojmë të vendosur të bëjmë transparencë, t’u themi shqiptarëve se kjo është dhurata e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Dhe atyre që i mbështetën, nuk janë pak ata.
Dhe përpiqen ta mbulojnë tani me shpifje të ulëta ndaj opozitës, ndaj idealeve të saj, ndaj programeve të saj.
Por e vërteta është se opozita ka qenë dhe mbetet e vendosur në liritë dhe të drejtat te individit, shtetin ligjor dhe integrimin e vendit në BE”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD