Mbledhja e Komisionit të Kulturës u hap me një përplasje të fortë kur kryetarja e komisionit, Ina Zhupa devijoi nga rendi i ditës për të adresuar një çështje procedurale nga mbledhja e kaluar. Zhupa akuzoi deputetët e mazhorancës se kishin votuar kundër një propozimi për të mbajtur një seancë dëgjimore me banorët dhe institucionet përgjegjëse lidhur me një projekt zhvillimor në Durrës. Sipas Ina Zhupës, ky projekt rrezikon trashëgiminë kulturore duke parashikuar prishjen e banesave historike. Për të mbështetur argumentin e saj, kryetarja paraqiti një fotografi të një muri të periudhës osmane të vitit 1502 dhe tabelës përkatëse, duke pretenduar se tabela ishte hequr qëllimisht nga Bashkia Durrës për të justifikuar shkatërrimin.
“Përpara se të kalojmë në këtë pikë të rendit të ditës, kam diçka për procedurë. Dje, në mbyllje të mbledhjes së komisionit,ne e mbyllëm pa rënë dakord për kalendarin, duke votuar vetëm projektligjet dhe duke marrë kundërshtimin e deputetëve të mazhorancës për të futur në kalendar një dëgjesë me banorët e, me një përfaqësi të banorëve të Durrësit, me një përfaqësi të ADF-së, me një përfaqësi të Bashkisë së Durrësit dhe me një përfaqësi të Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit.
Kjo dhe për t’u qartësuar, momentin që ne e mbyllëm, sepse nuk ishit ju dakord, se po të ishit ju dakord, do ishte futur në kalendar. Ta sqarojmë edhe këtë pjesë që e pa publiku. Dje në këtë komision kanë kaluar dhe disa të pavërteta, të cilat kanë lënduar qytetarët e Durrësit, që më janë drejtuar personalisht, e janë lënduar nga mënyra, sidomos kur e dëgjonin të thënë nga deputetë të Durrësit, që supozohet që e njohin Durrësin dhe jetojnë me sensibilitetet e banorëve të Durrësit.
Dje është thënë, dhe e kërkuar dhe unë ndaj e kam marrë sot këtu, është thënë nga deputeti zoti Kume që nuk ka një mur të tillë të kësaj periudhe otomane, turke të vitit 1500. Në fakt është viti 1502. Mund të futeni dhe ju në Google Map, sepse Google nuk i heq tabelat siç i heq Bashkia Durrës. Bëjeni një kërkesë t’i ndryshojnë. Ky është muri, kjo ka qenë tabela, tabela thotë mur i periudhës turke, e ke edhe anglisht.
“Wall of Turk Period”, e kanë shkruajtur këta. Në fakt duhet të ishte otomane. Viti është 1502 dhe viti është, kjo është tabela. E ka shkulur Bashkia Durrësit, e ka shkulur këtë tabelë vetëm që t’i shëmbi”, tha Zhupa.
Gazeta RD