Deputeti i PD, Klevis Balliu lëshoi akuza të forta ndaj drejtimit të seancës së Kuvendit. Gjatë fjalës së tij, ai vuri në pikëpyetje integritetin e proceseve parlamentare, duke u fokusuar në dy pika kyçe: zvarritjen e komisioneve të rëndësishme hetimore dhe një votim të cilin e quajti të manipuluar.
Balliu tha se, komisionet për çështjen “McGonigal” dhe atë të zgjedhjeve po anashkalohen qëllimisht përmes një rendi dite të papërshtatshëm. Por pika më e nxehtë e fjalimit të tij ishte denoncimi i një votimi të kryer pa transparencë.
“Faleminderit kryetar. Duke ju referuar dhe rendit të ditës, keni çuar dy komisionet hetimore të cilat janë tejet të rëndësishme, edhe sipas atij rendit dite që keni caktuar, i bie që ato komisione hetimore duhet të zhvillohen në dy apo tre të gjeset si herën e fundit dhe siç e pamë, nuk kishte kuptim vazhdimi i seancës dhe herën e fundit.
Do të ishte mirë që ta rishikonit, meqënëse kanë një rëndësi të veçantë, qoftë raporti, qoftë komisioni për McGonigal, qoftë ajo për zgjedhjet, të afroheshin ato dhe të ndryshoheshe rendi i ditës.
Së dyti, duke ju referuar edhe fjalimit tuaj zoti kryetar, bëmë një, bëmë një, bëmë një votim pa shpjeguar asgjë, pa i dhënë mundësinë as për replikë, pavarësisht se kishit gjithë fjalimin se sa konstruktiv duhet të jemi, dhe nuk jepet fjala as për replikë dhe nuk njoftohet as se për çfarë po votohet, as se si po votohet.
Vetëm dhe vetëm për të bërë disa media të pushtetit një lajm, jo e votuam, jo s’e votuam.
Në qoftë se do i përmbahemi qoftë edhe vetë fjalimit tuaj, do të ishte korrekte që ai proces votimi të bëhet siç duhet.
Dhe jo duke folur një zonjë aty nëpër dhëmb pa marrë vesh askush se çfarë u tha apo se për çfarë po votojmë”, tha Balliu.
Gazeta RD