Kryetar i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të hetojë përdorimin e fondeve të tenderit për Tunelin e Llogarasë.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se SPAK duhet të sqarojë destinacionin e 50 milionë eurove të këtij projekti dhe të sigurojë rikthimin e çdo shume që mund të jetë përdorur në mënyrë të papërshtatshme.
Ai shton se hetimi i SPAK-ut është i rëndësishëm për transparencën dhe përgjegjshmërinë në tendera publike dhe thekson nevojën që fondet e projektit të jenë në shërbim të buxhetit të shtetit.
Postimi i Bardhit
Shkelja e barazisë në tendera ka vetëm një arsye pse bëhet: Korrupsionin. Këto dy krime janë të lidhura pazgjidhshmërisht nga njëri-tjetri. Prandaj, është në detyrimin e Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe provuar se të paktën 50 milionë eurot e zhdukura në Tunelin e Llogarasë janë korrupsion i pastër i personit që ka krijuar pabarazinë në tender dhe i personit që e ka ideuar këtë. Të dy kanë emër: Belinda Balluku dhe Edi Rama.
Bashkëpunimi në korrupsion jo vetëm në Tunelin e Llogarasë ia ka lidhur duart Edi Ramës. Ai nuk po e bind dot krahun e tij të djathtë të punëve të pista të japë dorëheqjen, por as nuk ka fuqinë ta shkarkojë. Të dy i bashkon korrupsioni. Të dy janë peng i njëri-tjetrit dhe po i japin kohë vetes për pakte korruptive dhe mafioze.
Është në detyrën e Prokurorisë së Posaçme që 50 milion euro tarifë korrupsioni në projektin e Tunelit të Llogarasë t’i gjejë në xhepat e drejtuesve më të lartë të qeverisë, të bëjë drejtësi dhe të bëjë të mundur rikthimin në buxhet të gjësë së vjedhur me firmën e Belinda Ballukut dhe bekimin e Edi Ramës.
Gazeta RD