Si nisi hetimi për tunelin e Llogarasë
Në gusht të vitit 2024, Gazmend Bardhi, në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, depozitoi një kallëzim penal kundër Belinda Ballukut për procedurat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.
Në janar të këtij viti, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, lëshoi gjithashtu një seri akuzash për përfshirjen e Belinda Ballukut në “aferën e tunelit të Llogarasë”.
“Për projektin e tunelit. Kam qenë prezent. Janë prezantuar në një ambient privat dy kompani, që unë s’kisha dijeni se nuk ishte në ministrinë time të linjës, prezent në Turqi. Isha unë, kreu i organizatës (Rama), plaçkitësja (Balluku), edhe sy-zgrudulluari. Plaçkitësja dhe kreu ishin prezent. Ishin dy kompani, dhe kreu sugjeroi që këta të bënin një kombinim. Faktin e dinin që është rrëzuar kompania Gjoka në tender me 140 milionë, është marrë me 190 milionë, me një të gëlltitur të lapsit fap-fap nga kreu i organizatës siç e ka zakon, janë gëlltitur nga plaçkitësja 50-milionë dollar. Inceneratori i Fierit, plus ai i Elbasanit, 50-54 milionë euro janë”, tha Ahmetaj, në një intervistë për “Çim Peka Live”.
Afera e Tunelit të Llogarasë
Në Dhjetor 2020, Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku, shpalli tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 130 milionë euro. Procedura u fitua nga “Gjoka Construction”, por, më pas, Balluku e anuloi procedurën.
Tenderi u rihap sërish në qershor 2021, por tashmë fondi ishte rritur ndjeshëm, duke arritur në 180 milionë euro.
Procedura u fitua nga bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE) “Intekar Yapi Turizm Elektrik dhe “Asl Insaat Taahhut”. Në garë nuk mori pjesë “Gjoka Konstruksion”, megjithëse ajo kishte paraqitur një ofertë shumë më të ulët në procedurën e anuluar më parë. Gjithësesi, “Gjoka Konstruksion” u pajtua si nënkontraktore për ndërtimin e Tunelit, duke ngritur dyshimet që herët se e gjithë procedura ishte fiktive.
Gazeta RD