“PS e la vetëm Nanon/ Ish-ministri socialist: Rama nuk e mbështeti për President

Ish-ministri në kabinetin “Nano”, Agron Duka, aktualisht kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, kujtoi historinë e miqësisë dhe njohjes me ish-kryeministrin e ndjerë Fatos Nano, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit, pasi u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Ish-deputeti tha se në vitin 2000 mori telefonatën e parë nga Nano, të cilin nuk e njihte dhe as e kishte takuar kurrë më parë. ish-kreu i PS i kishte kërkuar të kandidonte në Bashkinë e Shijakut, një bastion i djathtë, por e kishte refuzuar.

“Zona e Shijakut ishte e djathtë dhe problematike. Ai nëpërmjet një të njohurit tim më telefonoi që dhe më kërkoi të kandidoja për Bashkinë e Shijakut, kanë qenë zgjedhjet lokale të vitit 2000, kujtoj, dhe unë nuk pranova. Nuk e njihja më parë Fatos Nanon. Ajo zona dihej se ishte problematike dhe shumë e djathtë. Më vonë, patëm fatin të takoheshim shpesh edhe në takime informale e të kishim miqësi, në vitin 2001 u emërova prefekt i Durrësit nën drejtimin e qeverisë së tij dhe më pas ministër me kabinetin e tij dhe me atë të Ilir Metës”, kujtoi Duka për News 24.

Gjithashtu ish-ministri tregoi detaje nga mbledhjet qeveritare, diskutimet politike dhe në kabinetin “Nano”.

Duka tha se Nano ishte liberal, i kuptonte dhe pranonte argumentet dhe kishte shumë tipare pozitive dhe me zgjuarsi të lindur.

“Kjo ka qenë njohja ime me të. Mbaj mend se me Nanon në qeveri çdo ligj diskutohej deri në dakordësi dhe pranonte çdo lloj diskutimi, argumenti. Mbaj mend se ai nuk ndërhynte kurrë tek ministrat në punën e tyre. Ai ishte liberal, reformator dhe modern. Unë gjykoj se ka pasur gjëra pozitive dhe ka qenë shumë reformator. Ishte liberal, udhëhiqej nga dashuria për njerëzit dhe jo hakmarrja. Nano i duhej vendit në atë kohë. Kishte edhe debate, edhe unë kam bërë fjalë me të, por ai nuk ishte hakmarrës, i pranonte argumentet dhe diskutimet. Në atë kohë kishte ministra realë dhe jo sot, siç kemi Diellën. Kishte qeveri shumë më të aftë dhe aktive”, vijoi ai.

Por kreu i PAA nënvizoi se Nano kishte edhe disa defekte, sikurse edhe ai vetë, e një prej tyre që kishin të përbashkët ishte pirja e duhanit. Por ishte njeri i ditur, sa lexonte deri në 3 të mëngjesit.

“Kishte disa defekte, ai pinte shumë, edhe unë kam pirë shumë duhan si ai. Rrinte shumë gjatë në tavolinë, nuk kishte si ai që të rrinte në tavolinë, por nuk linte kurrë puna pas dore. Shkonte pas 12 të natës në shtëpi dhe lexonte deri në 3 apo 4 të mëngjesit. Ai ishte njeri shumë i ditur dhe dukej. Në atë moshë që iku me zotërim të tre gjuhëve në mënyrë të shkëlqyer, pa përfshirë të tjerat. Kishte elokuencë të jashtëzakonshme protokollare”, tha Duka.

Ish-deputeti dhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ndërsa rrëfeu historinë e njohjes së tij me Fatos Nanon dhe bashkëpunimin me të ndër vite si pjesë e kabinetit dhe miqësinë deri në ditën e fundit të ndarjes nga jeta, kujtoi edhe ulje-ngritjet politike të marrëdhënieve të liderit socialist me partinë e tij.

Ish-ministri shprehu keqardhjen që PS nuk e mbështeti kandidaturën e Nanos në 2007 për president, duke shtuar se ai nuk ishte hakmarrës dhe pavarësisht kësaj, i la ambiciet politike dhe më pas ujërat u qetësuan dhe u afrua përsëri.

“Ajo që më surprizoi sot ishte edhe ajo që tha kryeministri Rama sot, “ore sa shumë të paskan dashur!”. Edhe pjesa e ndarjes së bukës dhe historitë e përplasjeve, deklaratat apo pjesa në librin “Kurban”. Politika i ka këto. Keqardhje që nuk u pranua për t’u bërë president. Vetëm Taulant Balla i doli në mbështetje në PS në atë kohë që të bëhej presidedent. PS nuk e mbështeti Nanon për postin e presidentit. Derisa nuk pati më ambicie politike dhe situata u përmirësua. Kështu është politika në fakt”, tha Duka mes të tjerash.

Madje ai kujtoi se PS duhet ta kishte vlerësuar më shumë dhe ta mbështeste në atë kohë.

“As Ilir Meta nuk e donte Fatos Nanon për shkak të përplasjeve të tyre, por e bëri një postim ngushëllues. Nano s’ishte i dashuruar me pushtetin dhe faktet e treguan, ku në 2005 pranoi rotacionin e pushtetit. U mërzit shumë kur humbëm më 2005, por në fund e pranoi. PS u distancua nga Nano dhe e lanë vetëm. Më pas nuk pati më ambicie”, u shpreh ai.

Por Nano ishte edhe njeri jo vetëm i artit politik, por edhe i batutave pikante. Duka kujtoi me humor dy prej tyre, një takim në Fier me banorët dhe shprehjen epike “Unë jam fatos Nano, pas më vjen historia”.

“Kujtoj një takim në Fier për një grant me banorët, ikën dritat atje, errësirë, kur dëgjojmë një zë: Poshtë qeveria! Kur shiko ne, ai ishte Fatos Nano, ashtu ishte ai, e çliroi menjëherë situatën e krijuar atje. Në atë kohë ashtu ishte, iknin edhe dritat. Nano Ka lënë histori jo vetëm në politikë, por edhe jashtë saj, madje edhe kur tha “Pas meje vjen historia”, ishte pak dëlir i tij, por ai nuk i donte servilët, i kishte alergji”, vijoi ish-deputeti dhe miku i ish-kryeministrit dhe liderit historik të socialistëve.

Ai e cilësoi Nanon njëkohësisht edhe si pjesë të familjes së tij biologjike, sikurse babanë e tij. Tiparet e tij si liberal, modern, me humor dhe i zgjuar, e bënin njeri të veçantë.

“Kur të tjerët e kujtojnë si pjesë të familjes politike, unë e respektoj Nanon si pjesë të familjes time biologjike. Njësoj sikur ta kisha baba. Po të ishte Nano ende, PS do ishte ndryshe sot. Ai nuk kishte më ambicie politike, sepse po të kishte do kishte krijuar probleme, ndaj edhe kur ai nuk pati më ambicie, ata e afruan. Por ai nuk ka qenë kurrë hakmarrës”, përfundoi kreu i PAA.

About Krye Redaktor

Check Also

Skandali-Kërkohen vetëm 2 vite burg/ Roli i ish deputetit tek vrasësi Altin Hajri dhe Kreshnik Farruku

Prokuroria e Posaçme ka lexuar këtë të hënë, më 3 nëntor, pretencën për ish-deputetin socialist, …