Skandali Rama-Balluku/ Caktuan vlerën e tenderit tre muaj para se të bëhej projekti

Ola XAMA
Fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ishte planifikuar që nisje të procedurës!
Sipas dokumentave të depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik, gara e parë është hapur në datën 14 dhjetor 2020 me fond limit 191 milion euro pa tvsh.
Në këtë datë, Projekti Teknik i tunelit nuk ishte dorëzuar akoma. Për të hartuar Projektin Teknik ishte kontraktuar për vlerën 7 milion euro një konsorcium kompanish me në krye austriaken IC Consulten.
Por siç shihet nga dokumentat bashkëlidhur, projekti teknik është dorëzuar në mars të vitit 2021, ndërsa gara është hapur 3 muaj më parë. Si është llogaritur fondi limit në vlerën 191 milion euro pa patur projekt? Si është pranuar kjo vlerë të akomodohet në buxhet nga Ministria e Financave dhe si ka lejuar Thesari dhe Agjencia e Prokurimit Publik të hapet gara? Këto janë po ashtu përgjigje që duhet t’i nxjerrë hetimi i SPAK!
Pasi u anullua procedura e parë me arsyetimin se asnjë prej kompanive nuk përmbushte kriteret e kualifikimit, është hapur tenderi i dytë me fond limit 189 milion euro pa tvsh. Në këtë procedurë është hedhur dhe Projekti Teknik i tunelit.
Në garën e parë oferta më e ulët ishte e kompanisë Gjoka Konstruksion me 140 milion euro për të ndërtuar veprën , por procedura u anullua. Në tenderin e dytë oferta fituese ishte e bashkimit të kompanive INTEKAR-ASL me vlerë 170 milion euro.
Në realitet punimet i kryen kompania Gjoka Konstruksion si nënkontraktor, ndërsa për periudhën 2021-2024 turqit e INTEKAR-ASL rezultojnë me 28 milion euro fitim pas taksave. Të gjitha fitimet janë ndarë si divident për pronarët dhe këto para duket vështirë të rikuperohen nga gjurmimi i hetimit.
Ajo që kuptohet nga dokumentat është se tentativa për të grabitur 30 milion euro ka qënë e paracaktuar dhe nuk ndryshoi pas takimeve në qershor me kompaninë turke.
Hapja e tenderave për kontrata publike e koncesione pa patur studime dhe projekte është kthyer në filozofi të qeverisjes vitet e fundit.
Në procedurën për koncesionin e Portit të Vlorës nuk ka patur studim, as në zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës apo në kontratën e rishikuar të Thumanë-Kashar ku duhej bërë studim nga e para. Në disa raste rezistenca në buxhetimin e fondeve pa projekt teknik i ka kushtuar postin dhe ministrave të financave.

About Krye Redaktor

Check Also

Ku shkojnë miliardat e BE?/ Orban flet, Von der Leyen braktis sallën, Trump e përshëndet

Nga Maria Castellani Në Strasburg, Viktor Orbán po shkakton një “tërmet politik evropian”. Dje, Ursula …