Akuza e re/ Transferta 6 milionë euro në Zvicër dhe urdhërat nga telefoni

Arben LLANGOZI

Burime pranë strukturave hetimore kanë bërë të ditur se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është njoftuar për një akuzë të re penale, e cila shoqërohet me masë sigurie të menjëhershme. Dosja, që prej disa javësh është në fokus të prokurorëve të posaçëm, ka marrë përmasa të reja pas zbulimit të komunikimeve telefonike komprometuese dhe transfertave të dyshimta ndërkombëtare.

Hetimi, i nisur fillimisht për çështje tenderash publikë, po konsiderohet si një ndër më të ndjeshmit e viteve të fundit, pasi për herë të parë në qendër të akuzës ndodhet një anëtare e kabinetit qeveritar me peshë të madhe politike.

Në dosje përfshihet një sërë komunikimesh të përgjuara, ku Evis Berberi, ish-drejtues i ARRSH një prej institucioneve më të rëndësishme të infrastrukturës, shihet duke dërguar përmes telefonit fotografi të renditjes së një tenderi. Nga ana tjetër, sipas burimeve, Balluku ka reaguar menjëherë nga telefoni i saj, duke dhënë urdhër që renditja të ndryshohet në mënyrë që tenderi të përfundojë në favor të një kompanie të caktuar.

Ky moment, ka qenë pika e kthesës për prokurorinë, e cila më pas ka vendosur të thellojë hetimin duke kërkuar të gjitha provat digjitale, llogaritë bankare dhe kontaktet ndërmjet personave të përfshirë. Sipas hetuesve, kjo ndërhyrje përbën shkelje të barazisë në tenderat publikë, ndikim të paligjshëm dhe Korrupsion.

Në vijim të kontrollit financiar, është zbuluar një transfertë prej 6 milionë eurosh që ka kaluar përmes disa kompanive ndërmjetëse dhe ka përfunduar në një llogari bankare në Zvicër. Transferta i atribuohet njërit prej bashkëpunëtorëve të afërt të Ballukut, që aktualisht po hetohet për pastrim parash dhe përfitime të paligjshme. Dyshohet se këto burime i përkasin zëvëndës kryeministres Balluku.

Hetuesit dyshojnë se kjo shumë lidhet drejtpërdrejt me tenderin ku u konstatuan ndërhyrjet në renditje. Në dokumentacionin e sekuestruar janë gjetur kontrata konsulence fiktive dhe fatura shërbimesh të fabrikuara, që shërbyen si mbulesë për transferimin e shumës jashtë vendit.Sipas burimeve, gjurmët e parave janë ndjekur në bashkëpunim me autoritetet zvicerane dhe përfshijnë një rrjet kompanish “offshore”.

Për shkak të rrezikut të ndikimit në prova dhe pozitës që mban në qeveri, prokuroria dyshohet se ka kërkuar masë sigurie të menjëhershme ndaj Ballukut. Kjo është hera e parë që një zëvendëskryeministre në detyrë përballet me një kërkesë të tillë nga SPAK, çka ka krijuar tronditje në nivelet më të larta të qeverisë. Po ashtu, janë nën hetim edhe disa vartës të saj dhe zyrtarë të agjencive të varura që kanë pasur rol në procedurat e tenderimit.

Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar tronditje të fortë politike, pasi çështja prek një nga figurat më të afërta të kryeministrit. Burime nga kabineti qeveritar thonë se është thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën dhe pasojat e mundshme. Nga ana e saj, Balluku mësohet se ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se do të përballet me drejtësinë “me dinjitet dhe transparencë”, duke i cilësuar hetimet si “sulm të koordinuar politikisht”.

About Krye Redaktor

Check Also

Rama thërret mbledhje qeverie në mesnatë

Afera me tenderin e Tunelit të Llogarasë ka shkaktuar një tronditje tjetër në oborrin e …