Shqipëria përballet me një tjetër humbje financiare pas Becchettit
Pas humbjes së arbitrazhit me biznesmenin italian Francesco Becchetti, Shqipëria rrezikon një tjetër sekuestrim të aseteve në vlerë rreth 13 milionë dollarë. Kjo pas kërkesës së kompanisë financiare Omni Bridgeway drejtuar një gjykate federale në Uashington, që synon të ekzekutojë një vendim arbitrazhi të fituar kundër qeverisë shqiptare në një mosmarrëveshje që zgjat pothuajse një dekadë.
Konflikti nisi në 2007, kur qeveria shqiptare i dha koncesionet e naftës kompanisë Stream Oil and Gas. Pas ndryshimit të qeverisë, kompania iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, dhe më pas në 2017, kaloi tek GBC Oil Co. Ltd, një kompani e regjistruar në Ishujt Kajman, me pronarë shqiptarë dhe amerikanë, përfshirë Naim Kasën dhe Kreshnik Grezën.
Në 2017, Albpetrol rishtetëzoi vendburimet e naftës, duke pretenduar se GBC Oil nuk kishte përmbushur detyrimet. Kjo çoi kompaninë të kërkonte 110 milionë dollarë dëmshpërblim në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih.
Në korrik 2020, gjykata arbitrazhi vendosi 12.7 milionë dollarë gjobë ndaj Shqipërisë si kompensim për rritjen e papritur të taksave. Edhe pse qeveria e injoroi vendimin, Gjykata Federale e Uashingtonit e konfirmoi atë në shkurt 2025.
Tani, Omni Bridgeway kërkon autorizim për sekuestrimin e aseteve sovrane të Shqipërisë në SHBA, duke rritur rrezikun e një humbjeje tjetër financiare pas Becchettit.
Ky zhvillim ngre shqetësime për financat e vendit dhe mund të shënojë një tjetër humbje të madhe pas çështjes Becchetti, që tronditi qeverinë dhe opinionin publik!!!
Gazeta RD