Gjykata e Posaçme ka dënuar ish deputetin socialist Alqi Bllako me 4 vite heqje lirie, ndërsa raportohet se ai ka lënë po sot ambientet e burgut të Fierit.
Trupa gjykuese e shpalli Bllakon fajtor për korrupsion pasiv, duke përfituar 119 mijë euro dhe një tjetër shumë prej 7 milion lekësh. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burg.
Përveç dënimit me burg, Alqi Bllakos i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Sipas Prokurorisë, Bllako akuzohet se ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë.
Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit.
Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar aksionerit të shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, Klodian Zoto, njëkohësisht dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, që të jepte përfitimin e parregullt, duke e punësuar fiktivisht prej nga ka siguruar një përfitim në vlerën 7. 5 milionë lekësh.
Gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor. Alqi Bllako është shpallur fajtor edhe për inceneratorin e Elbasanit, si dhe atë të Fierit.
Sa i përket inceneratorit të Tiranës, GJKKO ka dënuar edhe Lefter Kokën Taulant Tushën, Namik Samixhiun, Bledar Karolin, Fatjon Muratin, Valbona Ballgjinin dhe Sidita Kopliku, ndërsa Jetmir Llapaj është shpallur i pafajshëm. Çështja ndaj Alqi Bllakos ishte ndarë më vete nga të pandehurit e tjerë.
Gazeta RD