Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka publikuar dy fragmente nga dosja hetimore e SPAK në ngarkim të Belinda Ballukut dhe pesë vartësve të saj, të gjithë të akuzuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Të pandehur janë Gentian Gjyli, kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së Ervis Berberi, i arrestuar tashmë për një tjetër çështje, drejtori aktual i OSHEE-së Erald Elezi, si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica, të cilët ishin pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Bardhi ka shkëputur nga dosja hetimore një bisedë mes Ballukut dhe Berberit, ku zv.kryeministrja pyet për një ndryshim në procedurën e tenderit të hapur për tunelin e Llogarasë. Mesazhet tregojnë se ndryshimi i kritereve të përvojës për pjesëmarrësit është diskutuar drejtpërdrejt me ish-drejtorin e ARRSH-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi ironizon Ballukun duke theksuar se ajo “duhet të udhëheqë procesin e integrimit europian, ndërsa i tregon BE-së sesi mund të bëhet korrupsion dhe si ndahen tenderat për qoka pushteti”.
Reagimi i Gazment Bardhit
I tronditur nga dosja penale e një Zëvendëskryeministri që e trajton shtetin si oborrin e shtëpisë. Opozita do të bëjë transparencë të plotë të aferës korruptive të Belinda Ballukut që tregon sesi funksionon shteti nën drejtimin e Edi Ramës.
Ndjehem krenar që aferat e kësaj Qeverie, grupi ynë parlamentar jo vetëm i denoncon publikisht, por edhe institucionalisht në SPAK. Procedimi penal nr. 181, viti 2024, që ka nisur mbi bazën e kallëzimit tonë, nuk do të jetë kurrë i plotë nëse paratë e korrupsionit nuk kthehen në Buxhetin e Shtetit.
P.s: E pandehura Belinda Balluku mendoj se duhet të udhëheq procesin e integrimit europian. Me atë rast, i tregon edhe BE sesi mund të bëjnë korrupsion dhe sesi mund ti ndajnë tenderat për qoka pushteti.
Biseda mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit
Evis Berberi: Po.
Belinda Balluku: Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperienecen e objekteve te ngjashme Nga 5 vite ne 3???”
Evis Berberi: Kerkoi Pellumbi te jete 3 nga 5 vitet e fundit
Belinda Balluku: Po cne ? Kush e beri kerkesen e KPP?
Berberi: Ne kpp çfarë kerkese eshte bere. Te takimi qe patëm ne dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kërkoi qe te jete 3 nga 5 vitet e fundit. Sipas Vkm eksperienca duhet kërkuar tre vitet e fundit. Nderkohe qe ai se kishte dhe e lame 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta me tha qe e kishte diskutuar përpara takimit me Pellubmin kete gje me ty.
Përgjimi numër 1
Në lidhje me këtë veprim të njësisë së prokurimit, nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular ‘Blackberry’, model ‘BBF100-6’, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasit Evis Berberi dhe Belinda Balluku, si më poshtë:
Në datën 26.01.2021, në orën 12:25, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: ‘Një pyetje’.
Në orën 12:25, Evis Berberi: ‘Po’.
Në orën 12:26, Belinda Balluku: ‘Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperiencën e objekteve të ngjashme. Nga 5 vite në 3???’
Në orën 12:26, Evis Berberi: ‘Kërkoi Pellumbi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit’.
Në orën 12:27, Belinda Balluku: ‘Po çne? Kush e bëri kërkesën e KPP?’
Në orën 12:27–12:31, Evis Berberi: ‘Në KPP çfarë kërkese është bërë. Takimi që patëm në dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kërkoi që të jetë 3 nga 5 vitet e fundit. Sipas VKM, eksperienca duhet kërkuar tre vitet e fundit. Ndërkohë që ai se kishte dhe e lamë 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta më tha që e kishte diskutuar përpara takimit me Pellumbin këtë gjë me ty.’


Gazeta RD