Bledi KASMI
Sot vetëm Berisha flet për protesta. Në takime, mbledhje dhe konferenca vetëm ai flet për protesta. Askush tjetër. Duket sikur Berisha jeton në një tjetër dimension politik dhe ata që heshtin kur ai shqipton fjalën “protesta” jetojnë në një dimension tjetër.
Pjesa më e madhe e atyre që kanë marrë përgjegjësi politike përfaqësimi ulin kokën, bëjnë sikur nuk dëgjojnë kur ai flet për protesta. Eshtë bukur të vishesh me kollare dhe kostum në paradën e përditshme politike, studiove apo në Parlament dhe është tjetër gjë të veshësh “çizmet” dhe të kalosh rrugëve të baltosura për të takuar dhe bërë bashkë njerëz që kërkojnë opozitën dhe nuk e gjejnë në terren.
Ka të tjerë që bëjnë edhe llogari. Ata kalkulojnë. E ç’më duhen protestat? Po sikur të bjerë regjimi nga protestat? Po sikur të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, unë ku do të jem? A do të jem apo nuk do të jem më aty ku jam sot? Ka dilema edhe në opozitë.
Duket sikur Berisha betejën më të vshtirë në këto momente e ka të bindë një pjesë të të vetëve për protesta. se njerëzit që janë në protestë të përditshme me regjimin kur përballen me çmimet e larta, varfërinë e shtuar ku sipas shifrave të Bankës Botërore një në dy shqiptarë e ka të vështirë të sigurojë edhe bukën e gojës. ku përballen me padrejtësinë e ngritur në sistem dhe një ekonomi të ndërtuar për ti shërbyer vetëm një grushti njerëzish.
Po çfarë pritet më tepër për të protestuar?
Zgjedhjet u vodhën.
Ndërkombëtarët nuk i çertifikuan si zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata i rrëzuan duke i konsideruar të pabarabarta, të blera me paratë e qeverisë dhe të ndikuara nga krimi.
Çfarë pritet më shumë në një kohë që kreu i regjimit është në momentin më të vështirë të karrierëës së tij politike pasi është kapur në flagrancë vjedhje nga prokurorët bashkë me zëvendësen e tij.
Në Serbi qindramijëra janë në sheshet e protestës dhe përballen me regjimin e Vuçiç prej një viti, ndërsa në Shqipëri i vetmi që flet për protesta është Berisha.
Gazeta RD