Tabaku: Qeveria ka dështuar me programimin buxhetor

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për buxhetin faktik të vitit, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka ngritur shqetësimin se qeveria ka dështuar të zbatojë një programim afatmesëm buxhetor, duke i dhënë të drejtë gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

“Sot nuk ka më një programim të qartë dhe afatmesëm të buxhetit të shteti,t” u shpreh Tabaku. “KLSH ka evidentuar se qeveria miraton një buxhet në fillim të vitit, por në fund ai ndryshon përmes një sërë aktesh normative, duke humbur çdo lidhje me planifikimin fillestar”.

Deputetja opozitare theksoi se, sipas raportit të KLSH, rreth 20% e shpenzimeve kapitale realizohen në ditët e fundit të vitit, çka tregon mungesë të theksuar eficience dhe planifikimi nga Ministria e Financave.

“Si mund të quhet funksionale një Ministri që nuk arrin të ndajë dhe të zbatojë normalisht fondet për investime? Kjo është paaftësi institucionale dhe dështim në menaxhimin e financave publike”, shtoi ajo.

Tabaku vuri në dukje gjithashtu se procesi i rindërtimit është kryer në pjesën më të madhe pa fonde të buxhetuara, duke e cilësuar këtë si një shembull flagrant të mungesës së disiplinës fiskale.

“Ky është një buxhet që ndryshon nga janari në dhjetor, që nuk reflekton prioritete ekonomike, por vendime politike”, përfundoi Tabaku, duke kërkuar që Ministria e Financave të zbatojë rekomandimet e KLSH-së dhe të rikthejë programimin afatmesëm buxhetor.

About Redaksia

Check Also

Dy standardet dhe standardi special Rama, pasqyra e drejtësisë me regji!

Nga Petrit VASILI Dy standardet e përdorura hapur nga SPAK janë pa asnjë dyshim prova …