Kryetari i PD, Sali Berisha tha se kryehajduti në aferën e tunelit të Llogarasë është Edi Rama dhe se ai së bashku me skemën e tenderave të paracaktuar, ka shfrytëzuar pushtetin për përfitime të jashtëligjshme.
Berisha theksoi se, prokurori i çështjes ka treguar kurajo dhe ka marrë kërcënime direkte gjatë hetimit, ndërsa denoncoi se modeli i abuzimit me tenderat publikë është përdorur sistematikisht nga qeveria përveç rastit të veçantë të tunelit të Llogarasë, ku sipas tij u zbuluan manipulime të hapura dhe të skajshme.
“Por do të mashtronim shqiptarët në qoftë se do njihnim si përgjegjëse të parë Lubinë dhe jo Edi Ramën.
Prokurori i çështjes ka treguar kurajo, e them këtu, për zbatimin e ligjit.
Ka marrë kërcënime direkte nga Edi Rama me telefonin e Ulsi Manjës. Kërcënime direkte!
Dhe prokurori i çështjes, është e vërtetë që duhej të formulonte të njëjtën akuzë që ka formuluar ndaj Lubisë, por do ishim të pandershëm po të mendonim se ata janë prej guri.
Nuk janë prej guri.
Por ai punën e bëri.
Ai punën e bëri!
Ai tha se tuneli i Llogarasë është një vjedhje e tmerrshme, siç e dini.
Dhe ne kemi të gjithë dokumentet se kryehajdut në atë aferë është Edi Rama.
Lubi Balluku ka 18-20 dosje në SKAP.
Merrni vetëm një, se asaj nuk i mbahen mend hajnitë. E mori unazën e Tiranës 13 kilometra, e ndau në 14 tendera. Çmenduri korruptive.
Po njeri në botë që të mund ta bëjë këtë, përveç një njeriu të papërmbajtur në vjedhje, nuk mund ta bëjë këtë.
Por, përsëri tuneli i Llogarasë është veçmas.
Se në tunelin e Llogarasë, Sulltanesha Rahmetlie ishte me Sulltanin atje.
Dhe thanë, takuam kompanitë dhe bënë skemën më të turpshme.
Anuluan tenderin 130-140 milionë, e hapën përsëri dhe ua thanë atyre me 50 milionë më shumë dhe në kundërshtim me ligjin morën po Gjokën nënkontraktor.
Po ka vjedhje më të hapur se kjo? Kurrë.
Po shikoni miq, duhet të dini një gjë, që kjo skemë është përdorur absolutisht pothuaj në çdo tender të punëve publike në Shqipëri.
Si është përdorur?
Kanë shkuar ofertuesit me ofertën kaq. Jo, kjo ofertë nuk vlen. Do sjellësh ofertën me kaq, dyfishin.
Dhe ti ke 30 përqind, unë kam 70 përqind të saj.
Por në këtë rast u demaskua se kryesori ishte i huaj.
Por kjo skemë është përdorur në çdo punë publike dhe e kemi denoncuar kaq shumë herë.
Dhe, ai pragu që themi ne 99 përqind, 100 përqind, ai në fakt është 180 përqind, është 250 përqind, se e bënin në këtë mënyrë, i thërrisnin përpara, shko, paraqit këtë ofertë, ndarja do jetë kjo.
Mirëpo kësaj here u kapën.
Nuk janë 50, por janë 90 milionë. Por nuk ka rëndësi”, tha Berisha.
Gazeta RD