Kryetari i PD, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar akuzoi kryeministrin Rama për përpjekjet për të censuruar informacionin lidhur me çështje të nxehta si ndërtimi i tunelit të Llogarasë dhe akuza të rënda për ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Berisha tha se, pas skandalit të tunelit dhe aktakuzës ndaj Ballukut, Edi Rama ka vendosur një kontroll të fortë mbi gazetarët, duke i ndaluar ata të bëjnë pyetje për këto çështje, duke cilësuar këtë si “formën më staliniste të kontrollit mbi median”.
“Të nderuar deputete dhe deputetë, të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë mbledhje!
Shqipëria përjeton një krizë politike të paprecedentë.
Por para se të ndalem në këtë analizë, do të informoj shqiptarët për shkallën e tmerrshme dhe kontrollin e tmerrshëm mbi mediat që Noriega apo Ramaduro i Tiranës ka vendosur në Shqipëri.
Pas skandalit të tunelit të Llogarasë, lëshimit, firmosje së aktakuzës dhe marrjes të pandehur të numrit një e gjysmë pas Edi Ramës, Lubi Ballukut, pas përplasjeve në pallatet e krimit, pallatet e pushtetit, sot Ramaduro del para medieve dhe nuk guxon asnjë gazetar, asnjë gazetare t’i bëjë pyetjen më të vogël për Lubinë, për tunelin e Llogarasë, për vjedhjen e tmerrshme që u kanë bërë shqiptarëve.
Për ta diferencuar, Ambrozias i ka hequr akreditimin apo vizën dhe nuk e lejojnë të hyjë si përfaqësuese e televizionit armik në konferencat e shtypit të tij.
Në të gjithë historinë e konferencave të shtypit në 32 vite, kjo është konferenca më e turpshme që tejkalon çdo lloj konference tjetër.
Shikoni se çfarë kontrolli të tmerrshëm.
Se si ka arritur ai të detyrojë pronarët e medieve, gazetarët, drejtorët, që të paraqiten në konferencë shtypi pas një superskandali të tillë dhe të mos guxojnë t’i bëjnë një pyetje të vetme.
Nuk ka aktakuzë më të rëndë se kjo.
Nuk ka formë më staliniste, më naziste, më ekstremiste kontrolli mbi median se sa kjo.
Si mundet?
Kur mediat e botës, kur shqiptarët në çdo votër diskutojnë ditë e natë për çdo problem, gazetarët në konferencë shtypi nuk guxojnë t’i bëjnë kryenarkosit të Shqipërisë një pyetje për një superskandal që përbën vjedhjen jo të 50, 50 janë në letër, në fakt janë 90 milionë euro në tunelin e Llogarasë.
Në të cilin, e qartë si drita e diellit, se përgjegjësi numër një është Edi Rama, Edid Rama, Edi Rama.
Sepse në atë aferë, të vendosur në Ankara, nuk mundet kurrë të vendoste Lubi Balluku.
Jo. Ai është vendim ekskluziv, kur edhe miqtë e tij më të ngushtë e shkruajnë se gjeopolitikën e ka kryeministri, dhe e vërtetë është ajo, nuk e ka ministri gjeopolitikën. Gjeopolitikën e ka kryeministri. Gjeokorrupsionin dua të them.
Pra, nuk ka diskutim që Lubia është masha e tij. Është instrumenti i tij”, tha Berisha.
Gazeta RD