Tabaku: Qeveria mund të shpërndajë kafe falas, por nuk mund të blejë dinjitetin e pensionistëve!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar ndaj premtimeve të Kryeministrit për “vitin e pensionistëve” dhe rritjen e paralajmëruar të pensioneve në buxhetin e ri të shtetit.

Tabaku thotë se, qeveria mund të shpërndajë kafe falas, por nuk mund të blejë dinjitetin e pensionistëve!

“Sipas Kryeministrit, pensionet do të rriten me 1,800 lekë në qytet dhe 600 lekë në fshat. Kjo do të thotë vetëm 60 lekë në ditë, një kafe në qytet apo 20 lekë në fshat. Çfarë mund të bëjë një pensionist me një kafe më shumë në ditë?”, shprehet Tabaku.

Ajo kujton se pensionistët janë ndër shtresat më të goditura nga kriza ekonomike dhe inflacioni, me çmime të rritura me 30 deri në 60 për qind për produktet bazë të jetesës, barnat dhe shpenzimet e përditshme.

“Pas gjithë këtyre rritjeve, qeveria ofron një lëmoshë, jo një zgjidhje. Pensionet sot janë lëmoshë, jo politikë sociale. Shqipëria ka nevojë për një skemë të re, të qëndrueshme dhe me dinjitet për të moshuarit e saj,” shton ajo.

Tabaku thekson se reforma e pensioneve duhet të marrë në konsideratë shpopullimin, emigracionin dhe plakjen e popullsisë, duke e trajtuar çdo qytetar me dinjitet dhe jo me fjalë boshe.

“Qeveria mund të shpërndajë kafe falas, por nuk mund të blejë dinjitetin e pensionistëve”, përfundoi Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Tenderi “sekret” dhe projekt faraonik/ 6.2 milionë euro për hotel luksi në rezidencën qeveritare në Dajt

Ndërsa Tirana mbytet nga smogu dhe zhurma e protestave, krerët e shtetit kanë vendosur të …